Liderët e partive opozitare, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, gjatë një konference për medie i kanë ftuar qytetarët që nesër t’i bashkohen protestës kundër zgjedhjes se Hashim Thaçit president.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka thënë se do ta vazhdojnë protestën deri në largimin e Qeverisë. Ai ka bërë thirrje që nesër në orën 10:00 të mblidhen në sheshin kryesor të Prishtinës për ta kundërshtuar zgjedhjen e presidentit, që sipas tij, do të kontrabantohet nga Kuvendi i Kosovës.
Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për protesta të jetë e qetë. Ai i ka quajtur gënjeshtra paralajmërimet së nesër mund të këtë dhunë në Prishtinë.
Edhe lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se do të vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë Qeveri, deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja. “Dalja nga kriza janë zgjedhjet e parakohshme, prandaj ne i ftojmë qytetarët që nesër në sheshet e Prishtinës të dalim dhe t’i kundërshtojmë”, ka thënë Limaj.