Kryetarët e partive opozitare, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, kanë bërë me dije të premten se do ta detyrojnë Qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa të japë dorëheqje.
Një ditë para protestës, ata kanë deklaruar se sot (e shtune) në mënyrë paqësore dhe masive do ta kërkojnë anulimin e dy marrëveshjeve dhe dorëheqjen e Qeverisë. Sipas tyre, pas shkeljes së Kushtetutës, kjo Qeveri nuk ka më legalitet ta vazhdojë punën. “Tash jemi në një situatë krejt tjetër, jemi në një situatë kur është konstatuar nga Gjykata Kushtetuese, se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi me nënshkrimet e veta në marrëveshje e kanë shkelur rëndë Kushtetutën. Pra, këtu nuk është çështja e kërkimit të zgjedhjeve ose një vullnet i opozitës për të bërë zgjedhje, por më shumë e kemi një situatë në të cilën Kosova nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga një qeveri e cila nuk ka pasur kurrë legjitimitet politik, e tash nuk ka as legalitet institucional. Thaçi e Mustafa do të detyrohen të japin dorëheqje nëse ata këtë nuk e bëjnë vetë”, ka thënë Ymeri dje në konferencën e përbashkët të opozitës në Sheshin “Skënderbeu”.
Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në protestë për ta kërkuar dorëheqjen e Qeverisë. Ai ka treguar se protesta do të jetë masive dhe paqësore. “I ftoj qytetarët e Kosovës t’i bashkëngjiten protestës në Prishtinë, tek Biblioteka Kombëtare, për ta kërkuar anulimin e marrëveshjeve të dëmshme e, po ashtu, për të kërkuar llogaridhënie prej atyre që e kanë shkelur Kushtetutën. Pra, për ta kërkuar dorëheqjen e atyre që e kanë shkelur Kushtetutën”, është shprehur Haradinaj.
Kurse kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka bërë ftesë për bashkim të zërit qytetar. “Është momenti kur zëri i qytetarëve duhet të jetë i bashkuar dhe i fuqishëm dhe mos të lejohet një precedent i keq në Kosovë, që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin. Nëse ata nuk janë të gatshëm për të dhënë llogari si Qeveri për shkeljen e Kushtetutës dhe refuzojnë për të dhënë llogari, atëherë edhe ne si qytetarë duhet të refuzojmë të na qeverisin shkelësit e Kushtetutës”, ka thënë Limaj.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës (PK) ka bërë publik planin e vet operativ për mbarëvajtjen e protestës. “Qëllimi strategjik i këtij plani operativ është: siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit, shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës, ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës. Sipas kësaj komunikate, policia ka apeluar te të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe te zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike.
opozita