Organizatorët e protestës së nesërme “Ndal” mbajtën konferencë të përbashkët për mediat

Këshilli për organizimin e protestës që përbëhet nga Ilyricum Libertas , Organizata e veteranëve të luftës   RDK,  dhe LR-PDSH kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët për mediat me çrast është lexuar edhe deklarata e përbashkët.

Në vazhdim e keni të plotë deklaratën e e bashkëorganizatorëve të protestës së nesërme, e cila fillon nga ora 14:00 tek ura në “Bit Pazar”, ndërsa do të përfundojë me një marsh deri tek Parlamenti i Maqedonisë.

Protestat janë akti nga ku nis çdo vullnet politik, i cili nuk ka mundur të shprehet ndryshe me mjete politike, përkatësisht institucionale.

Ne do të protestojmë kundër obstruksioneve ndaj Prokurorisë Speciale, kundër proceseve të montuara politike, kundër burgosjeve të shqiptarëve, kundër kësaj qeverisjeje,  kundër këtij sistemi, kundër këtij statusi.

Protesta është para së gjithash një akt rezistence ndaj regjimeve.

Protesta e 22 prillit në veçanti ndaj gjendjes së padurueshme, që ka ardhur si pasojë e qeverisjeve antishqiptare, me zyra dhe zyrtarë antishqiptarë.

Nuk ka rëndësi data e protestës, rëndësi ka rezistenca dhe kauza jonë dhe këto para së gjithash flasin një gjuhë, gjuhën shqipe, sepse vetëm ashtu mund të realizojmë vetveten, vetëm në këtë mënyrë merr kuptim aktiviteti ynë politik. Çdo aktivitet që nuk është komplementar me këto kushte e konsiderojmë si pengesë ndaj aspiratave tona.

Protesta e 22 Prillit është protesta  ndaj rendit, ndaj statusit, ndaj shtetit, ndaj pushtetit që ka riprodhuar vetveten tash e mbi 25 vjet, gjithmonë në dëm të shqiptarëve.

U bëjmë thirrje studentëve, unioneve të tyre, shoqërisë civile, organizatave të ndryshme jo-qeveritare, subjekteve politike shqiptare.

Bëjmë thirrje tek çdo shtëpi ku flitet shqip, që fatin e vet ta lidh me vullnetin e përbashkët

Ne nesër do të manifestojmë kushtin e lirisë dhe demokracisë duke dalë në rrugë e protestuar. Do të protestojmë kundër sistemit. Kundër këtij sistemi diskriminues, segregues dhe antidemokratik. Do të ngremë zërin si kolektivitet sepse pikërisht si kolektivitet na janë mohuar të mirat e mirëqenia.  Të bëhemi nesër në Shkup një trup i vetëm.