naim bajramiShkruan: Naim Bajrami

  1. Demokracia është e supozuar të mundësojë ndërrimin e paqtë dhe të shpejtë të pushteteve. Sigurisht që jo rrallë herë pushtet nuk janë ndërruar shpejt dhe në mënyrë paqësore, por e fillova me këtë duke dashur të theksoj karakterin paqësor të Protestës së 22 Prillit. Protestat janë formë e përdorur me shumë sukses nga subjekte dhe grupe te ndryshme të profileve të ndryshëm. Dy figurat më të shquara të shekullit të kaluar, Martin Luter King dhe Gandi u bënë të njohur në mbarë botën vetëm për shkak të rolit të tyre në protestat e pandalshme duke mbrojtur të drejtën e lirisë dhe jetës. Nuk dua të thellohem shumë në përshkrimet për pushtetin në R. e Maqedonisë dhe metodat qeverisëse, sepse tanimë (nëse jo me herët) është e njohur për të gjithë për elementet jo-demokratike( ku në goditje janë liria dhe vet jeta e qytetarit) me të cilët bazohet dhe shërbehet pushteti, ku me te drejtë njohësit e sistemeve politike, llojin e sistemeve të ngjashëm me pushtetin në Maqedoni e quajnë DEMOKRATURË. Ky lloj sistemi qeverisës pro-forma ka paraqitje demokratike, ndërsa në përmbajtje dhe mënyrën e të vepruarit ka të gjitha metodat e një sistemi totalitar.
  2. Mendoj se thirrja në protesta është gjëja më e natyrshme që do të duhej bërë. Protesta e 22 Prillit është një demonstrim revolte për padrejtësitë që ofron sistemi, është një demonstrim pakënaqësie ndaj uzurpimit të institucioneve, ndaj shkeljes së kushtetutës, ndaj mos respektimit të parimit për ndarje të pushteteve. Pse një protestë e veçantë ? Vallë bëhet fjalë për “bajraktarizëm” apo kemi nevojë për lidership të pavarur ? Ne nuk mund të kemi kërkesa plotësisht të njëjta me subjekte të cilat në te kaluarën e tyre në të njejtën menyrë kanë keqpërdorur pushtetin dhe të cilit pushtet të sotëm i kanë paraprijë me metoda thuajse të njëjta qeverisëse, me subjekte që kanë ndihmuar në krijimin dhe zhvillimin e këtij sistemi. Pastaj, si mund të lejojmë që kërkesat tona të theksohen apo të promovohen nëpërmjet një platforme (e kam fjale për opozitën Maqedonase) ku nuk është saktë i definuar interesi shqiptar. Nevoja për një platformë shqiptare, te pavarur nga koketimet për interesa të një blloku maqedonas, është më se e nevojshme, dhe fundi fundit pse duheshka që shpresa shqiptare të kërkohet nëpërmjet refuzimit dhe luftimit të partisë maqedonase në pushtet dhe të shikuarit e shpresës tek partia e bllokut maqedonas që pretendon pushtetin ? Me siguri të gjithëve iu bie ndërmend përshtypja e qytetarit shqipëtar asaj kohe se gjoja “me LSDM-në nuk shkon këta janë komunistë” dhe ajo tjetra “neve na bie më mirë me VMRO-në” që në fakt na doli si ajo thënia “prej shiut në breshër”. Të drejtat tona duhen të promovohen në mënyrë të pavarur dhe ky proces sigurisht që duhet udhëhequr nga një lidership që bënë qartë me dije, dhe pozitës dhe opozitës maqedonas se interesi I qytetarit shqiptar është në rend të pare.
  3. Dita e Premte si ditë proteste ?! Momenti që u zyrtarizua lajmi dhe u njoftua për ditën dhe orën fillimit të protestës një ndër “akuzat” apo thënë më mirë një ndër paragjykimet kryesore ishte ai se kinse po bëhet “instrumentalizim i fesë” ? Unë seriozisht nuk mund t’a kuptoj se si mund të instrumentalizohet diçka që tek shumica e njerëzve që do të dalin në protestë është mënyrë e shprehjes së besimit të tyre, botëkuptimit të tyre dhe mënyra si ata e zhvillojnë jetën individuale dhe atë shoqërore. Nga të drejtat tona si kolektiv, ne kemi nevojë për rregullimin dhe definimin e relacion shtet-religjion dhe anasjelltas, pastaj obstruksionet e shtetit ndaj BFI-se dhe të tjera problematika, dhe pse mos te dëgjohet zëri i njerëzve që duan rregullimin e këtyre çështjeve ?! Nuk mund të ketë instrumentalizim të diçkaje që ti vet je, të diçkaje që të identifikon . Pra ne vet si popull në shumicë jemi pjesëtar të Islamit. Në kësi raste, mund të ketë keqpërdorime dhe manipulime të ndjenjave fetare, që absolutisht nuk do të jetë prezent në këtë protestë. Do të jetë pa parulla dhe brohoritje fetare, siç jemi mësuar ti dëgjojmë në raste tjera. Jo qe kemi ndjenje inferioriteti nga kjo gjë, përkundrazi, por për vet faktin që parulla të tilla ku dëshmohet Njëshmëria e Zotit, janë keqpërdorur në suaza globale nga subjekte te ndryshme politike. Për të qenë korrekt dhe sa më i sinqertë me qytetarin shqiptar, për caktimin e ditës dhe orës kanë vendosur vetë shkupjanët, përfaqësues të subjektit politik –incuesit të kesaj proteste. Pastaj të Premten, në Shkup është “ditë pazari” dhe si e tillë kjo ditë mbledh Shkupin dhe rrethinën në një vend. Çdo qytetar i ardhur me qëllim apo i rastësishëm, padyshim është i mllefosur me këtë sistem dhe ka të drejtën e tij për protestë. Mesazhi është i qartë: Mos u merni me paragjykimet, shikojeni realitetin… EJANI TË PROTESTOJMË!