Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka arsye që ta votojë demarkacioni, pasi nuk e ka marrë materialin për këtë çështje.Osmani, e cila është anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka deklaruar është bërë praktikë që materialet për çështje të caktuara të vijnë në Kuvend pesë minuta para votimit, raporton “Epoka e re”. “Unë jam deputete që dy legjislatura dhe është bërë praktikë shumë shpesh që deputetët t’i qesin para një akti të kryer, duke ua sjellë materialin pesë minuta para votimit. Unë asnjëherë s’e kam dhënë votën time në momente kur është kërkuar në një situatë të tillë të përshpejtuar. Pra nuk e kam votuar asnjë ligj me nguti. Kështu që nuk ka pasur debat të mirëfilltë për demarkacionin. Nuk është e arsyeshme që të hedhet faji te deputetët se në qoftë se nuk do ta votojnë demarkacionin, qytetarët e Kosovës do të mbesin pa liberalizim të vizave, kur dihet se me vite të tera se ndër kushtet themelore për liberalizimin e vizave është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka deklaruar Osmani.