Gjuha shqipe nuk përfillet nga policia e Maqedonisë. Me këtë shkilet kushtetuta e vendit. Kështu ka bërë të ditur kryetari i partisë “Uniteti” Gëzim Ostreni gjatë konferncës për shtyp të mbajtur në Shkup në pragë të kongresin të parë që do të mbahet në hotelin Aleksandër Pallas në  ora 12.00

Sipas tij partia “Uniteti” e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme përmes një shkresë në gjuhën shqipe, por ky dokument ketegorikisht është kthyer nga punonjësit e policies.

“Por, më duhet të theksoj edhe një lajm, i cili na dëshpëron dhe njëkohësisht flet për mosrespektimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Flet për statusin e saj përbuzës, në të cilin e ka katandisur koalicioni qeveritar i Bashkimit Demokratik për Integrim me  VMRO DPMNE-në”, shtoi më tutje Ostreni.

Ai informoi se Këshilli i Kryesisë së UNITETIT për përgatitjen e Kongresit, në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, ndërmori veprim për të informuar organin e Ministrisë për Punë të Brendshme.

Shkresa e dedikuar për këtë qëllim ishte shkruar në gjuhën shqipe në pajtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe ky qe shkaku që ajo të mos pranohet nga Sektori për punë të brendshme – Shkup.

“Përgjigja nga punonjësi në sportele ishte se nuk e kuptonte se çka ishin duke i dorëzuar përfaqësuesit e UNITETIT. Kur ata i shpjeguan se çka përmbante shkresa dhe se është e shkruar në gjuhën zyrtare shqipe, punonjësi i është paraqitur zëvendës kryeshefit të Sektorit, dhe ai ka kërkuar të flasë me përfaqësuesin e UNITETIT. Përgjigja e tij ishte sa ofenduese aq edhe arrogante. Në të vërtetë zotëria u përgjigj se ai me “qef” do ta kishte pranuar atë shkresë, por këtu nuk e merr vesh atë askush. Shkruajeni në gjuhën maqedonase dhe silleni. Edhe pse përfaqësuesit e UNITETIT provuan të thirren në ligjin në të cilin bazohet shkresa e shkruar në gjuhën shqipe, të cilin e bartnin me vete, përsëri organi refuzoi ta pranojë shkresën nga shkaku se ishte e shkruar në gjuhën shqipe”, theksoi Ostreni.

Sipas  Ostrenit, Ministria për punë të brendshme ka thyer Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me çka është kryer vepër penale të sanksionuar me Kodin penal ku parashihet dënim me burg.

“Ky rast është tepër i rëndësishëm, prandaj kërkojmë nga Prokuroria të ngrejë procedurë adekuate dhe nga Ministri për Punë të Brendshme të merr masa në përputhje me Ligjet dhe rregulloret për marrëdhënie pune, të cilat e rregullojnë këtë lëmi “ ka theksuar  Ostreni