Mediat serbe kanë publikuar pamje nga momenti kur Policia e Kosovës vendos të mos lejon që autobusi i mbushur me futbollistët dhe staf të Crvena Zvezdës të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës.

Futbollistët e Crvena Zvezdës që pritej të vinin në Kosovë janë ndaluar nga Njësia Speciale e Kosovës në pikën kufitare të Jarinjës dhe janë kthyer mbrapsht.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet menaxheri i përgjithshëm i skuadrës së Crvena Zvezdës, Zvezdan Terzic, i cili ka thënë se e kanë të ndaluar hyrjen në Kosovë.

“E kemi të ndalur të hyjmë në Kosovë, por do ta shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Terzic, sipas gazetës serbe Telegraf.

Si e tillë, ndeshja e planifikuar të zhvillohet sot në orën 15:00 mes klubit serb nga Kosova, Trepçës, dhe Crvena Zvezdas në territorin e Kosovës nuk do të zhvillohet.

Mediumet serbe raportojnë se ndeshja Trepça – Crvena Zvezda, në kuadër të Kupës së Serbisë, do të zhvillohet në Serbi nesër në orën 17:00.

Të pranishëm në vendkalimin kufitar të Jarinës ishin edhe një grup i tifozëve të Zvezdës, që provokuan me këngë “Oj Kosovë, oj vendi im”, liderët e dy klubeve dhe presidenti i Listës Serbe, Goran Rakic.