Nuk ishin takuar kurrë më parë, por nuk mund t’i shmangeshin këtij takimi. Presidenti Obama ka pritur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në një takim që zgjati plot 1 orë e 30 minuta. Në deklaratën për shtyp pas kësaj pritjeje, Obama tha se ishte një bisedë “e shkëlqyeshme” me pasardhësin e tij.

Edhe pse Trump, në fushatën e tij të ashpër e ka cilësuar shpesh Obamën si “makthin më të keq të Shteteve të Bashkuara” apo si fatkeqësinë më të madhe të amerikanëve, pas këtij takimi, tha se nuk ishte takuar asnjëherë më parë me të dhe se “Presidenti ishte njeri i mirë”.

t-o

Të gjitha akuzat e bëra gjatë fushatës u lanë mënjanë. Të dy ishin në ujëra më të qeta dhe qëndruan në të njëjtën linjë. Para gazetarëve, Obama dhe Trump deklaruan se folën për ҫështje të ndryshme, mes të cilave për politikën e jashtme, për çështje të brendshme dhe për disa tema të tjera delikate.

Obama tha se diskutimi me Trump ishte i zgjeruar, duke përfshirë të gjitha sfidat që ka aktualisht vendi, që nga çështjet e organizimit të Shtëpisë së Bardhë, tranzicioni i butë i pushtetit e deri tek politika e jashtme.