Parisi ndodhet në gjendje emergjente, pasi lumi Sena është mbi fryrë si pasojë e motit të keq që ka goditur Francën ditët e fundit.

Parisienëve u është kërkuar të përdorin kujdes ekstrem dhe të qëndrojnë larg zonave të rrezikut, pasi nivelet e ujit janë rritur të paktën katër metra mbi nivelin normal.

Autoritetet vendase njoftuan se shtatë stacione hekurudhore, përfshirë edhe atraksione turistike do të mbyllen të paktën deri ditën e premte.

Muzetë e famshëm të Parisit, si Louvre dhe Quai d’Orsay, që qëndrojnë në brigjet e lumit Sena do të aktivizojnë planin e tyre të emergjencave dhe do të zhvendosin veprat e artit në zona të sigurta të galerive, nëse niveli i lumit arrin në 5 metra mbi normalen.

Disa nga rrugët kryesorë në afërsi të Bashkisë së kryeqytetit francez u deklaruan të mbyllura, ndërsa të gjitha udhëtimet me anije janë anuluar, pasi parashikuesit paralajmëruan se niveli i ujit pritet të rritet më shumë në ditët në vijim.

Ekspertët e motit i frikësohen një përmbytjeje masive, që mund të tejkalojë nivelin e ujit të regjistruar në vitin 2016, që solli përmbytjet më të mëdha që ka parë Paris për dekada të tëra.

Ndërkohë zona të tjera të Francës po përgatiten për përmbytjet e mundshme, pasi lumenjtë, përfshirë dhe Rhinin në lindje po kërcënojnë gjithashtu të dalin nga shtrati.

Tridhjetë departamente anembanë vendit janë vendosur në monitorim të plotë ndaj rrezikut të përmbytjeve, ndërsa ushtria është vënë në gjendje gatishmërie për të ndërhyrë në çdo moment rreziku.

Përmbytjet e vitit 2016, të cilat ishin shkatërruese për qytetet në juglindje të Parisit shkaktuan të paktën rreth 1.4 miliardë euro dëme materiale. /Ora News