Kaluan 10 ditë nga fushata zgjedhore ndërsa partitë nuk pushojnë pa eksponuar vetën në çdo mënyrë për të mbajtur vëmendjen tek qytetarët. Edhe pse në kohë pandemie ata gjejnë mënyra për të bërë takime me qytetarë, tubime, ndarje të materialeve promovuese. Në rrjetet sociale gati çdo ditë dalin materiale të përgjuara. Analisti politik Xhelal Neziri pret që ditët në vijim fushata e zezë të jetë edhe më e ashpër.

“Në pjesën e dytë të fushatës sidomos në ditët e fundit partitë politike do të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion. Do të përdorin artileri të rëndë për të goditur apo dëmtuar kundërshtarin politik. Deri më tani kemi pasur fushatë pozitive duke i promovuar platformat partitë politike”, tha Xhelal Neziri- analist politik.

Sipas analistit Lupço Arsovski partitë politike duhet të kenë kujdes me sjelljen e tyre pasi Maqedonia është pjesë e aleatëve ndërkombëtare dhe të gjithë sytë janë të kthyer tek ne. Partitë politike duhet të përqendrohen në promovime të vlerave evropiane.

“Unë pres që partitë politike të flasin për këtë punë. Të mos publikojnë kush çfarë ka thënë, ato biseda janë private dhe të vjetra, kush e di se kush fshihet pas atij zëri, mund të jetë i montuar. Unë nuk i kushtoj vëmendje kësaj. Kthim i gjërave të vjetra për të fituar votuesit mund të reflektojë vetëm negativisht në llogari të vendit”, deklaroi Lupço Arsovski – analist politik.

Edhe një javë partitë politike do munden të bëjnë fushatë zgjedhore. Pastaj vijon votimi tre ditor në përputhje me masat për mbrojtjen nga Kovid-19. Më 13 korrik do të votojnë personat të infektuar me Kovid-19 të cilët janë izolim, më 14 korrik të sëmurët që do të votojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa më 15 korrik të gjithë qytetarët do të mund të realizojnë të drejtën e tyre të votës.