Shkruan: Arben Taravari’

Përkufizimi për fjalën partizan sjellë disa versione, thuajse sinonime të njëra tjetrës.
Ai që çmohet dhe nderohet nga populli dhe historia është Partizani që lufton për Lirinë e vendit të tij!
Mirëpo sot është një grup tjetër partizanësh, të cilët e kanë mbushur plot Maqedoninë dhe për paradoks nuk kërkojnë Lirinë tonë, por Robërinë!
Këta janë Militantë, njerëz që mbështesin fort një Kauzë apo Parti, duke bërë çdo prapësi, paudhësi, krim e ndëshkim (të më falë Dostojevski), për partinë e tyre!
E keqja është se këta lloj parti-zanësh kanë parti Liderin e tyre dhe kauzë xhepin! Këta lloj speciesh në shumim kanë futur një “kulturë” të re në sjellje!

1. Mos lexo programin politik

2. Bën be në kokë të Liderit

3. Fle me logon e partisë

4. Rrihu me shokun në emër të Partisë që as nuk e njeh

5. Fitimi i parave në emër të lidhjeve partiake është Vllazëri dhe jo Vjedhje

6. Ata që kundërshtojnë Partinë apo Liderin janë Tradhëtarë që duhen eleminuar

7. Vishu dhe sillu si Lideri (ky është stil i vjetër, po që për hata edhe sot vazhdon)

8. Liderit duhet gjithnjë t’i thuash Amin

9. Të bindesh pa dëgjuar se çfarë të kërkojnë (të fitosh një PO automatike)

10. Të shesish Fundshpinën për Liderin

Sa listë e sëmurë! Mirëpo ja që kesthu është! Këta janë Parti-zanët e 2016-ës!
Partizanët e Vërtetë, ata që luftuan maleve për Lirinë tonë, ata kanë kohë që heshtin në vetminë e tyre!
Nga oxhaqet e tyre shohin me dorën në pushkë parti-zanët e rinj, dhe ndoshta kuptojnë që Liria do ende shumë për të ardhur…se armik më të madh se parti-zanët e rinj servilë dhe poltrona, nuk paska! Mjerë ne!