Kosova mbrëmë pësoi një disfatë në planin diplomatik dhe të njohjes ndërkombëtare, pasi miratohet Rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Evropës, me katër propozime nga Serbia.

Përfaqësuesit e Shqipërisë, që kanë të drejtë vote, të ndihmuar edhe nga përfaqësuesi i Suedisë, propozuan amendime që eliminonin kërkesat e paraqitura nga Serbia. Por, fatkeqësisht, të gjitha ato janë rrëzuar.

Amendimi që rikthente disa nga standardet e para pavarësisë në lidhje me marrëdhëniet me Europol dhe Interpol, u rrëzua për vetëm një votë. E, në këto momente në sallë mungoi përfaqësuesja shqiptare nga Maqedonia, Ermira Mehmeti, transmeton Telegrafi.

Ky lajm ka nxitur reagime të mëdha në Kosovë dhe në Maqedoni, ndërkaq, sikur për ta mbrojtur veten, Mehmeti në profilin e saj në Facebook publikon disa arsyetime, ku një nga to është një falënderim nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti.

Haliti, si dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, që është deputete e LVV-së, ka marrë pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.

“E nderuar Z. Mehmeti, me lejoni t’u falemnderoj per angazhimin tuaj gjat qëndrimit ne KE lidhur me lobimin qe e keni bere sa i perket amendamenteve te propozuara dhe te mbrojtura nga delegacioni i Shqiperise dhe Suedise. Xhavit Haliti, shef i delegacionit te Kosoves” (sic.), është përmbajtja e mesazhit që ka postuar Ermira Mehmeti.

mesazh ermira