Për kë do të votojnë myslimanët në presidencialet e nëntorit në SHBA?

Myslimano-amerikanët në përgjithësi perceptohen si një grup votuesish që mbështesin republikanët. Megjithatë, ata gjithnjë e më shumë kanë prirje për të anuar nga partia demokrate, dhe në zgjedhjet presidenciale të nëntorit pritet të votojnë në shifra rekord për kandidaten demokrate, Hillary Clinton.

Një xhami pranë Uashingtonit, nuk është një bastion i Partisë Demokrate. Shumë anëtarë të xhamisë Darl al Hijrah në Falls Church të Virxhinias, të cilët janë pro-besimit dhe vlerave, në të kaluarën kanë votuar për republikanët.

Tani, shumica e tyre thonë se do të votojnë për kandidaten demokrate, Hillary Clinton, për të parandaluar fitoren e rivalit të saj republikan.

“Ne ndajmë të njëjtin mendim mbi këtë çështje. Ne nuk duam të lejojmë përhapjen e kësaj propagande kundër nesh”, thotë Azmee Rehman, votues myslimano-amerikan.

“Është kritike që ne të mos sjellim islamofobinë në Shtëpinë e Bardhë. Mendoj se për këtë arsye të gjithë myslimanët që nuk janë të regjistruar për të votuar duhet të regjistrohen dhe të votojnë për demokratët”, thotë votuesja Sarah Severoni.

Të premteve, Fazia Deen udhëheq një ekip vullnetaresh të xhamisë Dar al-Hijrah për të nxitur gratë myslimane të regjistrohet për të votuar. Kjo është pjesë e një fushate mbarëkombëtare për të regjistruar një milion votuese myslimane.

Ajo ka një mesazh të thjeshtë.

“Ky është një vit i rëndësishëm. Kemi zonjën Clinton dhe një kandidat të çmendur, zotin Trump. Nëse nuk votojmë, Trump mund të fitojë.”

Ashtu si aktivistja Deen, shumica e myslimano-amerikanëve janë emigrantë. Sondazhet tregojnë se shumica në komunitetin 3.5 milionë anëtarësh të myslimano-amerikanëve anojnë nga partia demokrate dhe kanë pikëpamje gjithnjë e më progresive.

Në vitin 2000, amerikano-myslimanët i dhanë mbështetje masive kandidatit republikan për president, George W. Bush, por në tre zgjedhjet e fundit, ata kanë votuar për kandidatët demokratë.

Profesori i Universitetit Georgetown, John Esposito, thotë se zgjedhjet e vitit 2000 ishin një përjashtim.

“Historikisht, Partia Demokrate është parë më shumë si një parti e popullit, më gjithëpërfshirëse se sa Partia Republikane, e cila ende shihet nga shumë njerëz si një parti e të privilegjuarve.”

Mbështetja për Partinë Demokrate është thelluar për shkak të retorikës së kandidatit republikan, Donald Trump, i cili shihet si anti-mysliman.

Ndërsa blloku myslimano-amerikan i votuesve mbetet i vogël, aktivistët thonë se komunitetet e mëdha myslimane në Florida, Ohajo, Virxhinia, Miçigan dhe Pensilvani mund të jenë me rëndësi në zgjedhje.

“Vota e myslimanëve në shtetet e pavendosura mund të jetë përcaktuese. Ky një përqindësh i votave mund të jetë vendimtar, veçanërisht në ato shtete ku gara do të jetë tepër e ngushtë”, thotë aktivistja Fazia Deen.

Por nga këndvështrimi afatgjatë, ekspertët thonë se me rritjen e komunitetit myslimano-amerikan do të shtohet edhe larmia socio-ekonomike e komunitetit, dhe së bashku me të edhe prirjet e tij politike. Dhe, sipas profesorit Esposito, kjo është një gjë e mirë për demokracinë dhe për komunitetin./VOA