Përfaqësuesja e lartë BE, Frederica Mogherini ka bërë bashkë në Bruksel dy kryeministrat, atë të Kosovës dhe atë të Serbisë. Por, edhe pas disa orësh bisedimesh në përfundim të takimit nuk është arritur asnjë marrëveshje mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Rtk shkruan se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në përfundim të takimit  ka thënë se nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete, por puna drejt përpilimit të statutit të Asociacionit do të zhvillohet duke pasur parasyshë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mustafa nuk ka qenë konkret në lidhje me atë se kur do të fillojë të hartohet statuti i Asociacionit.

Më herët mediat kosovare raportuan se gjatë një pauze pas fillimit të dialogut mes delegacionit kosovar dhe atij serb, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, ka folur për median serbe RTS duke  thënë se bisedimet janë shumë të vështira, por, sipas tij, çfarëdo marrëveshje që arrihet sonte është mirë, pasi kjo do të thotë se procesi është zhbllokuar.

Sipas tij, qëllim kryesor i Serbisë është se si të arrihet një marrëveshje për vazhdimin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

“Me rëndësi është që të fillojmë punën mbi statusin e Asociacionit dhe gjithçka që është e nevojshme që ai të formohet”, ka thënë Vuçiç.