Përleshje me thika midis serbëve e rusëve pas ndeshjes miqësore

Dy tifozë rusë janë shtruar në spital me lëndime të rënda në trup, pasi u goditën me thika pas ndeshjes miqësore të futbollit mes “Yllit të Kuq” të Beogradit dhe Lokomotivës së Moskës.

Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç tha të dielën se policia ishte në kërkim të autorëve të sulmit të ndodhur të shtunën vonë.

Media serbe raportojnë se tifozët rusë u sulmuan nga përkrahësit e Partizanit të Beogradit dhe rivalë të “Yllit të Kuq”.

Gjatë ndeshjes, skuadra vendase fitoi 2 me 1, ndërsa ndeshja kishte si synim nxitjen e miqësisë tradicionale midis dy popujve.

Stefanovic thotë se “askush nuk duhet të mendoj se ata mund të dëmtojnë miqësinë serbo-ruse me sulme të tilla”.

Agjencia ruse e lajmeve “Tass”, shkruan se njëri prej tifozëve është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa një i tretë u plagos lehtë.

Agjencia shkon më tej kur deklaron se tifozët u sulmuan nga shqiptarët.

Tifozët po marshonin me flamujt e tyre në rrugë pas ndeshjes, kur shpërtheu dhuna midis tyre.