Me të vërtetë, do të ishte e përkryer nëse një vitaminë mund t’ua forcojë eshtrat, mbrojë nga diabeti, skleroza e shumëfishtë, kanceri, sëmundjet e zemrës dhe depresioni. Ose edhe më mirë, që të mund të ndihmojë edhe tek humbja e peshës. Shkencëtarët shpresa të mëdha kanë në vitaminën D, e cila krijohet si reakison i organizmit në diell, vjen në disa lloje të ushqimeve ose përmes shtesave.

Eshtrat

Vitamina D luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e eshtrave, nga ngjizja e deri te vdekja. Ndihmon eshtrat për të absorbuar kalciumin nga ushqimi. Te personat e rritur vitamina D dhe kalciumi do të parandalojnë frakturat e eshtrave dhe forcojnë eshtrat. Fëmijët në veçanti kanë nevojë për vitaminë D, sepse ua zhvillon organizmin në tërësi, duke përfshirë edhe eshtrat.

Skleroza e shumëfishtë

Skleroza e shumëfishtë është më e shpeshtë tek vendet që janë më të larguara nga ekuatori. Ekspertët me vite kanë studiuar lidhjen në mes dritës së diellit dhe vitaminës D me këtë çrregullim autoimun, i cili ndikon në sistemin nervor. Me një hulumtim është treguar që në pyetje është çrregullimi i rrallë gjenetik i cili shkakton krijimin e sasisë shumë të vogël të vitaminës D në organizëm. Pavarësisht nga këto rezultate, ende nuk ka shumë dëshmi, sipas të cilave vitamina D do të përdorej për preventivë ose shërimin e sklerozës së shumëfishtë.

Diabeti

Disa hulumtime kanë treguar që niveli i ulët i vitaminës D mund të rrisë rrezikun nga zhvillimi i diabetit të tipit 2, sëmundjes gjithnjë e më të shpeshtë. Megjithatë, për momentin nuk ka shumë ekspertë në këtë fushë për të vërtetuar këtë pohim.

Humbja e peshës

Hulumtimet kanë treguar që personat e trashë kanë nivel më të ulët të vitaminës D në gjak. Yndyrat trupore në njëfarë mënyre e robërojnë vitaminën D, për ç’arsye trupi nuk mund ta përdorë. Ende nuk është e qartë nëse trashja e redukton nivelin e vitaminës D ose niveli shumë i ulët i vitaminës D shkakton trashjen. Disa ekspertë pohojnë që shtesa e vitaminës D në ushqimin e përditshëm mundet vërtet të ndihmojë tek dobësimi.

Depresioni

Vitamina D luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e funksionimin e trurit. Një hulumtim ka treguar që niveli i lartë i vitaminës D lehtëson simptomat e depresionit. Më së miri është që të këshilloheni me mjekun tuaj për konsumimin e shtuar të vitaminës D.

Kanceri

Është shumë herët për nxjerrje të përfundimeve, por hulumtimet më të reja tregojnë që vitamina D mund të luftojë me qelizat e kancerit. Rezultatet e një hulumtimi kanë treguar që personat, të cilët kanë nivel normal të vitaminës D, kanë rrezik më të vogël nga zhvillimi i kancerit të zorrës së trashë. Hulumtimet e tjera kanë treguar që vitamina D mund të parandalojë zhvillimin e kancerit të gjirit dhe të prostatës. Megjithatë, shkencëtarët nuk kanë gjetur dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar këtë rezultat.

Zemra

Niveli shumë i ulët i vitaminës D lidhet me rrezikun më të madh nga zhvillimi i sëmundjeve të zemrës. Megjithatë, ende nuk është tërësisht e qartë se në ç’mënyrë e redukton vitamina D atë rrezik, si dhe sa vitaminë nevojitet saktësisht që rreziku të reduktohet.

Dementia

Personat më të moshuar duhet ta shtojnë konsumimin e vitaminës D. Shkencëtarët kanë konstatuar që personat më të moshuar, të cilët kanë shkallë shumë të ulët të vitaminës D, kanë kujtesë më të dobët dhe më vështirë e mbajnë koncentrimin. Megjithatë, është e nevojshme të vazhdohet me hulumtimet që dëshmitë të jenë të besueshme.

Dielli si burim i vitaminës D

Kur dielli rrezaton trupin, ai vetë krijon vitaminën D. Dielli është burimi më i madh i vitaminës D, por shpesh nuk është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit. Njerëzit me ten më të çelët e kanë të mjaftueshëm të kalojnë 5 deri 10 minuta duke u rrezitur dhe atë disa herë në ditë. E rëndësishme është të përdoret mbrojtja kundër rrezatimit diellor, pavarësisht kohës me re. Njerëzit më të moshuar, si dhe ata me ten më të mbyllët, nuk kanë shumë dobi nga dielli si personat me ten më të çelët. Ekspertët thonë që për ta është më së miri që vitaminën D ta marrin përmes ushqimit dhe shtesave.

Vitamina D në ushqim

Shumë ushqime që i hamë nuk përmbajnë vitaminë D. Përjashtime janë disa peshq (salmoni, skumbri) që mund të sigurojnë dozën e rekomanduar të vitaminës D. Peshqit e tjerë (tuna, sardelet) përmbajnë vitaminë D, por jo në masë kaq të madhe. Sasi të vogël do të gjeni në të kuqtë e vezëve, mëlçinë e gjedhit dhe në ushqimin e pasur me vitaminë D, siç është qumështi. Djathi dhe akullorja në parim nuk përmbajnë vitaminë D.

Shujtën tuaj zgjidheni në mënyrë të zgjuar dhe do të konsumoni më shumë sasi të vitaminës D. Shumica e llojeve të qumështit janë të pasura me vitaminë D, duke përfshirë edhe qumështin e sojës. Lëngu i portokallit, drithërat, buka dhe disa lloje të jogurtit po ashtu përmbajnë vitaminë D. Kontrolloni në etiketat e produkteve nëse përmbajnë vitaminë D ose jo.

A keni mjaft vitaminë D?

Problemet të cilat lindin nga krijimi i vitaminës D nga dielli dhe nga absorbimi i saj nga ushqimi mund të shkaktojnë mungesën e vitaminës D në organizmin tonë. Faktorët që rrisin rrezikun e mungesës së vitaminës D janë:

Mosha mbi 50 vjet

Teni i mbyllët

Ekspozimi shumë i vogël në diell

Pesha e tepërt trupore, trashja

Alergjitë në qumësht

Intolerenca në laktozë

Sëmundjet e mëlçisë ose të sistemit tretës

Simptomat e mungesës së vitaminës D shpesh nuk janë të dukshme. Mungesa e caktuar e vitaminës D tek të rriturit mund të shkaktojë osteomalacinë, sëmundjen tek e cila eshtrat bëhen të ndjeshme dhe dhëmbin, ndërsa simptomat shpesh ngatërrohen me artritin reumatid. Tek fëmijët mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë rakit dhe eshtra të dobëta.

Fatmirësisht ekziston testi i thjeshtë i gjakut, 25-OH-D (testi 25 hydroxy i vitaminës D), me të cilin mund të kontrollohet niveli i vitaminës D. Me këtë test po ashtu mund të përcaktohet sasia e saktë e vitaminës D, e cila i nevojitet individit. Mesatarisht çdo person në një mililitër gjak duhet të ketë rreth 20 nanogramë vitaminë D.

Kur është fjala për foshnje të sapolindur, qumështi i nënës është lloji më i mirë i ushqimit, por nuk përmban mjaft vitaminë D. Foshnja ka nevojë për shtesat e vitaminës D. Duke filluar që nga viti i parë i lindjes, fëmijët mund të pinë llojet e tjera të qumështit, prandaj atëherë në të shumtën e rasteve nuk kanë nevojë për shtesa.

Ekspertët këshillojnë të jeni të kujdesshëm me konsumimin e vitaminës D, sepse nivelet shumë të larta mund të rrisin nivelin e kalciumit, çka shkakton dëmtimin e enëve të gjakut, zemrës dhe veshkave. Efekti i dëmshëm i vitaminës D kur konsumohet në sasi të mëdha është i dëshmuar shkencërisht, ndërsa në rastin e tillë mund të jetë një nga vitaminat më të rrezikshme.

Disa ilaçe ndikojnë në absorbimin e vitaminës D, më saktësisht e pamundësojnë. Në këtë grup të ilaçeve hyjnë laksativët, asteroidet, pilulat kontraceptive dhe ilaçet për rregullimin e nivelit të kolesterolit. Nëse merrni digoksinë, ilaçin për shërimin e sëmundjes së zemrës, niveli shumë i madh i vitaminës D në mënyrë të dukshme mund të rrisë nivelin e kalciumit dhe të shkaktojë çrregullim të ritmit të zemrës. E rëndësishme është që të këshilloheni me mjekun dhe farmacistin.