Temat kryesore që do të bisedohen nesër në Bruksel në takimin që pritet të mbahet mes Presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe do të diskutohet për të ardhmen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka deklaruar këshilltari i Presidentit Thaçi, Ardian Arifaj, i cili në një prononcim për Indeksonline theksoi se dialogu i ri do të ketë një frymë më dinamike dhe do të jetë më përmbajtjesor që do të çojë drejt një marrëveshje kornizë gjithëpërfshirëse.

“Bisedimet e nesërme kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, në kuadër të dialogut që është zhvilluar. Dhe e dyta, do të diskutohet për të ardhmen e dialogut, ku presidenti Thaçi ka më shumë se një vit që kërkon që dialogu të marrë një frymë dinamikë, por edhe të bëhet më përmbajtësor që do të çojë drejt një marrëveshje kornizë gjithëpërfshirëse, drejt marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe njohjes së Kosovës si shtet dhe më pas pajtimit ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, lidhur me çështjen e të pagjeturve, dhe kërkesës që kjo të futet si temë diskutimi në këto bisedime, Arifaj ka theksuar se Presidenti Thaçi kohë më parë ka kërkuar që kjo temë të mos politizohet, pasi kjo është një çështje krejtësisht humanitare për të cilën Serbia duhet të reflektojë.

“Presidenti gjithmonë ka kërkuar që tema e të pagjeturve mos të politizohet pasi kjo është një çështje krejtësisht humanitare edhe që të gjitha mekanizmat relevant të angazhohen sa më parë që kjo çështje të mbyllet dhe çdo familje të mësojë për fatin e anëtarit të vet”, ka thënë ai.