Lëvizja e re politike “Uniteti” ka marrë përkrahje të gjërë në disa bastione të BDI-së dhe se numri i përkrahësve dhe anëtarësisë së saj po vazhdon të rritet. Të gjithë 540 delegatët në kongresin e djeshëm të “Unitetit” janë ish-anëtar të BDI-së.
Delegatë të pranishëm theksuan për INA se masovikisht po i bashkëngjiten kësaj partie, për shkak të pakënaqësisë sidomos për aleancën me VMRO-DPMNE.
“Unë kam qenë BDI dhe tani jam tek Uniteti. Edhe këtu në kongres u shprehën qëllimet e kësaj partie dhe shpresojmë se do të pasojë ndryshimi”, theksoi për INA, delegati i Unitetit.
Lideri i kësaj partie, Gëzim Ostreni para delegatëve të këtij kongresi, fillimisht ceki problemet që i tangojnë shqiptarët në përgjithësi.
Ai premtoi se Uniteti do të angazhohet të përmirësojë gjendjen aktuale dhe do të evitojë problemet që i tangojnë shqiptarët.
“Strukturimi i Unitetit do të bëjë të mundur që ajo të angazhohet për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme të qytetarëve, duke zhvilluar luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe mitës. Të angazhohet për realizimin e plotë të barazisë të qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve në nivel shteti, për përmirësimin e gjendjes ekonomike, shfrytëzimin e drejtë të buxhetit. Uniteti do të angazhohet që për të gjitha rastet ku qytetarët shqiptarë dëmtohen nga përdorimi i dhunës në rrugë e gjetiu’’, deklaroi ai.INA