Presidenti Hashim Thaçi nesër pret në takim konsultativ partitë politike. Pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar koalicioni PAN, ndërkohë që Vetëvendosje dhe LDK nuk do të marrin pjesë.

Kanë kaluar dy javë nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, por ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit. Ndërkohë, këtë të hënë presidenti Hashim Thaçi pret në një takim përfaqësuesit e subjekteve politike fituese në zgjedhje.

Kliko per me shume info
Ftesës së presidentit i është përgjigjur koalicioni PAN, ndërkohë që ftesa është refuzuar nga përfaqësuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe nga Vetëvendosje. Këshilltari i presidentit, Ardian Arifaj, tha për RTK-në se ftesa e presidentit është e sinqertë dhe karakteri i takimit ka të bëjë me marrjen e vlerësimeve nga të gjitha subjektet politike.

Më tej, Arifaj kundërshton pohimet se ftesa e presidentit është jashtëligjore.

Sipas tij, presidenti Thaçi ka vendosur që gjatë takimit të së hënës të marrë sugjerime për të caktuar datën se kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

Ky takim i presidentit njëkohësisht hap rrugën e koalicionit PAN për mundësinë e formimit të qeverisë së re, në rast se kjo e fundit siguron votat e kërkuara. Nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, Koalicioni PAN ka fituar 39 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje ka 32 ulëse, ndërsa koalicioni LAA 29 ulëse. Ndërsa 20 ulëse iI takojnë minoriteteve, 9 prej të cilave i ka siguruar Lista Serbe.