Në Bistravec të komunës së Bogovinës janë prerë rreth 100 mijë metra kub drunjë. Banorët e fshatit Rakovec ankohen se prerja është bërë në mënyrë masive. Ata thonë se disa vjet radhazi prej vitit 2007 kanë bërë kërkesë deri tek Ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë” si organ kompetent për ndalimin e prerjeve të drunjtëve që gjenden në rajonin e këtij fshati, si dhe për kapjen e autorëve dhe ndëshkimin e tyre.

“Ndodhemi në viset e Sharrit në vendin Bistravec ku është bërë prerja masive e drunjtëve; Banorët e fshatit Rakovec thonë se kjo pronë i takon fshatit dhe se në të është bërë prerje ilegale”.

“Kërkesat deri më tani nuk janë marrë me seriozitet nga ana e NP “Pyjet E Maqedonisë” dhe nuk janë përfillur, për këtë shkak jemi mbledhur për të shprehur revoltën në mënyrë publike për keqpërdorimet që po i bëhen rajonit tonë”, u shpreh Ramadan Xhelili, kryetar i bashkësisë lokale Rakovec.

“Në atë vend turistik mundet lirisht të mbillen pemë dhe perime për të ngrënë se dru nuk ka. Dhe para disa ditëve paraqitet se Mali Sharr do të bëhet si park nacional dhe ai park nacional pritet deri në zero”.

“Ato nuk presin drunjë që janë për tu prerë por fidanë të vogla për gjynah dhe e kanë bërë rrafsh dhe me këtë arsyetohen dhe i shesin, kanë dhënë tender dhe kanë manipuluar me policinë e pyjeve. Dhe bashkëpunojnë”, u shprehën disa banorë.

Ndërsa nga zyrat e “Pyjeve të Maqedonisë” në Tetovë për mediat nuk pranuan të japin deklaratë por në bisedë me ne thanë se nuk ekziston një problem i tillë në atë rajon, dhe se nuk ka prerje aq sa thonë banorët. Ata theksojnë se bëhet fjalë për 5 -6 njerëz nga fshati Pirok që kanë jetuar në Rakovec dhe kanë leje për prerje.

“Prerje ilegale nuk ekziston gjithçka është legale”.

“Ka kërkesë të dërguar te ne, sepse aty ka pasur firmë që ka fituar tender 1mijë metra kub të prejë, ku u pengua nga popullata e fshatit Rakovec dhe janë të njoftuar organet kompetente se banorët nuk  pajtohen. Ne do ta ndërprejmë kontratën të mos vazhdojë prerja sepse nuk ka kushte”, tha Toni Ivanovski,  NP “Pyjet e Maqedonisë”.

Ekipi TV 21 në shoqëri me banorë të fshatit shkoi në vendngjarje për të parë nga afër gjendjen e këtij rajoni. Por nuk u pa as një njeri në aksion të prerjes, por vetëm drunjë sapo të prera dhe të përgatitura për tu bartur.

Banorët thonë se prerja e drunjtëve në këtë rajon mund të ndikojë edhe më shumë në ndotjen e ajrit në Tetovë. Bistraveci është vend me lartësi mbidetare mbi 1300 metra dhe 40 kilometra larg qytetit të Tetovës./tv21

https://youtu.be/DsmFBFT0WSE