Grupi i profesorëve të cilët e çuan në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shuarjen e fakultetit të shkencave të zbatuara në UT e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për rikthimin e këtij fakulteti, por i kanë bërë thirrje ministrave të BDI-së që vendimin e ri të mos e quajnë fitore të tyre, sepse nuk bën asgjë më shumë përveç përmirësimit të gabimit që vet e kanë bërë.

“Nga ne thonë kur nuk ke punë, luaje derën, edhe këta njerëz merren me punë të kota, marrin vendime i shfuqizojnë e kështu me radhë. Ministrat dhe zyrtarët e BDI-së do duhej të fotografohen me projektet, ndërsa realisht me këto veprime nuk kanë se përse fotografohen, sepse, paratë kanë shkuar në Universitetin e Shkupit, të Manastirit, Shtipit, kështu që fotografija e tyre ishte një efekt reklame apo i një procesi që i ka skadu afati”, tha Arsim Sinani, ish profesor i Universitetit të Tetovës.

“Pa mëdyshje se vendimin e Qeverisë për rihapjen e fakultetit të shkencave të zbatuara e mirëpresim, por, në të njëjtën kohë dua të theksoj se kjo nuk duhet të shërbejë si një triumf politik, por si një mesazh që më politika mos bëjë kalkulime dhe manovra politike në pushtet për arritjen e qëllimeve të tyre, në kurriz të Universitetit të Tetovës”, deklaroi profesori i UT-së Mersim Maksuti.

Sinani dhe Maksuti ndërkohë Universitetin e ri Nënë Tereza në Shkup e kanë quajtur politik, ndërsa janë shprehur skeptik se ky institucion i arsimit të lartë do të hapet dhe do të funksionojë.

“Me Universitetin Nënë Tereza, partia në pushtet do tentojë të poentojë politikisht para zgjedhjeve besoj se para zgjedhjeve do e aktivizojë universitetin për të përfituar pikë dhe për t’i mashtruar edhe një herë shqiptarët e Maqedonisë për ti votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, deklaroi Sinani.

“Dua të bëj një vërejtje se Universiteti Nënë Tereza, asnjë parakusht nuk e ka për fillimin e punës së mbarë të këtij institucioni”, tha Maksuti

Me vendimin e fundit të Qeverisë fakulteti i ndërtimtarisë, arkitekturës, mekatronikës, inxhinierisë ekonomike, gjeodezisë dhe informatikës e inxhinierisë transportuese i kthehen Universitetit të Tetovës, ndërsa me këtë zgjidhet edhe fati i rreth 700 studentëve dhe 30 profesorëve.