Protestat masive të studentëve në Shqipëri kanë ngjallur interes të madh tek shqiptarët e Maqedonisë. Zhvillimet atje janë shoqëruar me komente të shumta në rrjetet sociale. Kanë qenë disa analistë e profesorë që duke komentuar situatën në Tiranë kanë shkruar edhe për heshtjen e studentëve shqiptarë në Maqedoni që kanë shumë arsye për të protestuar. Publicisti Latif Mustafa numëron disa arsye, ndërsa thotë se studentët t’i dinë edhe më mirë se ai problemet me të cilat ballafaqohen dhe për të cilat duhet ngritur zëri në forma të ndryshme, përfshirë këtu edhe protestat.

“Kemi parë disa herë kronika televizive për kushtet e mjerueshme në bibliotekën kombëtare universitare dhe konviktet e shtetit tek ne në Maqedoni. Sa i përket kushteve dhe faturave të edukimit universitar nuk janë edhe të lira, aq më pak të jenë falas”, deklaroi fillimisht Mustafa për Gazetën Lajm.

Ai shprehet i brengosur edhe për cilësinë e arsimit në universitetet ku mësojnë studentët shqiptarë, ndërsa për problemet administrative, profilin e ligjëruesve dhe plagjiatin thotë se janë tema poashtu shumë të dhimbshme për të cilat i’a vlen të protestohet.

“Është vështirë të krijosh një paralele në mes Tiranës dhe Shkupit ngaqë atje debati për universitetin është më i hershëm ngaqë universitetet private kanë futur një standard të ri në sistemin edukativ duke e futur atë publik në një garë të sforcuar, garë kjo ku edhe privati edhe publiku mbështeten nga shteti”, vazhdoi Mustafa.

Duke u përgjigjur në një pyetje që vetë e ka shtruar në profilin e tij në facebook, analisti i njohur Visar Ademi, thotë se në Maqedoni nuk ka protesta studentore pasi arsimi është skajshmërisht i partizuar dhe se në to ligjërojnë njerëz të paaftë.

“A e dini pse tek ne nuk ka protesta studentore? Sepse Universitetet u krijuan nëpër shtabet partiake dhe në to ligjërojnë njerëz të cilët “i hodhi” si të paaftë politika por të cilët gjetën strehim dhe u transferuan si profesorë me “karrierë akademike” te përzgjedhur nga po të njëjtat shtabe!!”, shkruan Visar Ademi .

Edhe ish ministri i Arsimit në Maqedoni, Sulejman Rushiti është përfshirë në debat përmes një statusi të shkurtë në facebook.

“Mos kini frikë kur protestojnë studentët, duhet të keni frikë kur nuk protestojnë!”, ka deklaruar Rushiti.

Ndërkaq, profesori Qashif Bakiu, ligjërues në Universitetin e Tetovës thotë se çdokush që është vënë përball studentëve ka humbur.

“Dhjetorët janë të ftohtë për elitat politike. Tradicionalisht lëvizjet studentore zgjohen në këtë muaj kur gjithçka në shoqëri flenë. Kujtoni lëvizjet studentore të dhjetorit të viteve 90-ta që shemben diktaturën më të egër në Evropë. Elitat politike shpesh herë harrojnë se zgjidhen nga qytetarët dhe janë për tu shërbyer atyre. Më e keqja harrojnë se të gjithë falin, por jo edhe studentët”, ka shkruar Bakiu.

Profesori dhe gazetari i njohur, Agron Vrangalla në një deklaratë për Gazetën Lajm, tha se tendencat për përvetësimin protestës në Tiranë nga grupet e interesit janë të kota dhe dëshpëruese.

“Studentët në Tiranë për asnjë çast nuk duhet ta ndalin protestën. Protesta u takon vetëm studentëve, jo forumeve rinore të partive. Nëse për një çast protestuesit do t’i vendosim në planin e spektaklit mediatik, atëherë padyshim se studentët e vërtetë ishin ata që po marrin pjesë nëpër debatet televizive atje. Rama nuk ka hallin e protestës, 8 kërkesat e studentëve do t’i bëjë patjetër, por ai vuan për pak vëmendje, një vëmendje që studentët nuk ia japin”, tha Vrangalla.

Protestat e studentëve, të cilët prej disa ditësh protestojnë kundër politikave të Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë përveç masivizimit, po marrin gjithnjë e më tepër vëmendjen e politikës në Tiranë. Së fundmi, ka qenë vetë kryeministri shqiptar Edi Rama që është zotuar se do të ofrojë zgjidhje për tetë kërkesat e studentëve, përfshirë edhe atë të rishikimit të taksave të larta për studime./Lajm/