Nga Bekim Qoku
Midis Artan Grubit dhe Izet Mexhitit, pa asnjë mëdyshje bëj tifo për Grubin. Dhe jam shumë i sigurt se Grubi do dalë i fituari ose të paktën më i fituari nga ky sherr brenda-partiak.

Maqedonia e Veriut dhe Artani janë si kapaku-tenxherja. Artan Grubi është personazh në politikën dhe jetën publike në MV, një personazh komik e parodik, por ama personazh. Vetë MV është një shtet komik e parodik dhe figurat si e Grubit janë të natyrshme dhe i ngjisin në mënyrë të përsosur. Edhe po të mos kishte një si Artan Grubi në këtë skenë, ai duhej shpikur. Po t’isha një regjisor, për skenarin e parodisë “Maqedonia e Veriut shtet sovran”, do të kisha përzgjedhur padyshim Artan Grubin për rolin dytësor. Dhe jam i bindur që ai do të nominohej për çmime edhe ndërkombëtare (sepse këto lokale do ia kishin dhënë vetë). Ose, nëse do të kishte një Remake i Don Kishotit të Maqedonisë, autori, për ndërtimin e figurës së shqytarit Sanço Panço, me siguri do të frymëzohej nga Artan Grubi.

Përndryshe, me ikjen e Artanit nga skena publike e politike, do të shkonin në harresë të gjithë ato anekdota të bukura e të shëmtuara prej dhe rreth tij. Do të zhdukeshin ato selfiet e tij të famshëm real e imagjinar me figura dhe situata të ndryshme.

Do të harroheshin gjithë ato aforizma “filozofike”, “teologjike” “shkencore”, “kulinare” “etj.” të Artanit, si p.sh “Ajri i mëngjesit është më i ftohtë, sepse ka qëndruar jashtë gjithë natën” apo “Frymëmarrja nuk e prish agjërimin” etj.

Me ikjen e Artonit, siç i thonë nëpër mediat sociale, do të fikeshin edhe shumë faqe Facebooku apo Instagrami që kanë për personazh kryesor Artan Grubin. Do të ishte gjynah të mbyllej llogaria e FB Kali i Shemës.

Tjetra, ore, edhe kur Artoni korruptohet apo vjedh nga buxheti i shtetit, merret vesh menjëherë, dalin zëra. Kur vjedh e korruptohet Izeti s’e merr vesh njeri. Izeti ka bërë masakër në Çair, por s’i përmend kush emrin. Le ta provojë Artoni ta bëjë të njëjtën, do ia kishin shkul flokët e mbjella menjëherë. Izeti ka shumë flokë, nuk i shkulen kollaj. Artani i ngratë njëherë u takua me Mijallkovin, u çun peshë i madh e i vogël, e mor vesh gjithë dynjaja. Po ku i dalin në shesh pisllëqet Izetit?

Sido që ndodhë, edhe nëse kjo zënkë të mos u sillte shqiptarëve të MV ditë më të mira, ama që do të shohim sehir, kjo është e sigurt, sepse natyrisht, këtë na garanton kryepersonazhi Artan Grubi, a.k.a Artoni, a.k.a Kali i Shemës.

Go Arton!