Gjykata Themelore Shkup 1 ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për bastisje në vendbanimin e shefit të Drejtorisë së Pestë, DSK-së, Goran Gruevski me arsyetimin se Prokuroria Speciale ka kompetenca të kufizuara, por edhe për atë se nuk ka saktësuar se çfarë po kërkon gjatë bastisjes.

“Në bazë të Ligjit për Prokurori Publike për ndjekjen e krimeve të lidhura dhe të cilat dalin nga përmbajtja e përgjimeve të paligjshme të komunikimeve, siç parashihet në nenin 5, pika 1 dhe 2, paragrafi 1, Prokuroria Publike Speciale ka juridiksion të kufizuar real që nuk rrjedh nga kërkesa për lëshimin e një urdhër-kërkimi dhe shpjegimin e tij”, deklaruan nga Gjykata Themelore Shkup 1.

Gjithashtu në arsyetimin e Gjykatës thuhet se kërkesa nuk ka përshkrim të saktë të objekteve që kërkohet të sekuestrohen por përdoret terminologji e përgjithshme për sendet që mund të gjenden në çdo shtëpi. Kjo duke pasur për bazë nenin 189, paragrafi 1 alineja 5 nga Ligji për procedurë Penale ku sipas Gjykatës thuhet se urdhri duhet të përmbajë një përshkrim të artikujve që kërkohen gjatë bastisjes.

Por,Prokuroria Speciale i ka quajtur të pa precedent refuzimin e gjykatës. Sipas PSP-së, në këtë rast, gjykata ka tejkaluar kompetencat e saja, duke kufizuar punën e Prokurorisë Speciale.

“Gjykata nuk ka kompetenca për t’i kontestuar kompetencat tona. Ajo mundet vetëm të deklarohet për kompetencën e saj, duke vepruar me kërkesë të paditësit të autorizuar që në rastin konkret jemi vetëm ne si prokurori. Sa i përket eksperiencës time por edhe të kolegëve që punojnë në këtë prokurori publike, deri tani asnjërit nga ne nuk i ka ndodhur që një gjykatës i procedurës paraprake të jep mospajtim për dhënie të urdhëresës për kërkim, as edhe kur ishte ligji i vjetër kur urdhëresat i jepte gjykatësi hetues, ashtu që kjo për ne paraqet një precedent”, tha Lençe Ristoska, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale Publike.

Gruevski është shef i Drejtorisë së Pestë të DSK-së dhe dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhur me shkatërrimin e pajisjeve për përgjim të MPB-së.