Alsat-M bën të ditur se dy ekipe të Prokurorisë Speciale punojnë në mënyrë intensive në rastet “Talir” dhe “Target”. Prokurorët deri më 30 qershor do të tentojnë t’i përfundojnë hetimet dhe të parashtrojnë aktakuza.

 

Ditëve të fundit në Prokurorinë Speciale u paraqitën funksionarë të lartë të OBRM-PDUKM-së, të dyshuar në “Talir” dhe të dëmtuar në rastin “Target”, që duhet të japë përgjigje se kush ka përgjuar në mënyrë të paligjshme në vend.

Në rastin “Talir” dyshohen 14 persona, për larje parash dhe financim të paligjshëm të partisë OBRM-PDUKM. Për këtë rast në Speciale deri tani në pyetje janë marrë Mile Janakievski, ish ministër i transportit dhe lidhjeve, ish kryeministri teknik Emil Dimitriev, dhe deputetja Daniela Rangelova të cilët u njohën edhe më provat. Pas tyre në Prokurorinë Speciale erdhën edhe drejtori aktual dhe i mëparshëm i Qendrës për komunikime në OBRM-PDUKM, Ivo Kotevski dhe Ilija Dimovski. E akuzuan Katica Janevën se është dorë e zgajtur e LSDM-së dhe se qëllimi i vetëm i Prokurorisë Speciale është që të konfrontohet me udhëheqjen e partisë. I dyshuari i parë në këtë rast është lideri i OBRM-PDUKM-së, Nikola Gruevski.

Ai disa herë morri ftesë për t’u marrë në pyetje, por për shkak të obligimeve dhe dërgesës së parregullt ende nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale. Në rastin me financimin e OBRM-së, avokati Nikolla Dodevski i cili përfaqëson një pjesë të madhe të të dyshuarve dhe akuzuarve në rastet e Prokurorisë Speciale nuk do të mund t’i mbrojë meqë ai është ftuar si dëshmitarë.

Para shtatë muajve, Prokuroria Speciale prezantoi hetimin për rastin “Target”, përmes të cilit Janeva duhet të zbulojë se kush ka përgjuar në mënyrë të paligjshme politikanët, biznesmenët dhe gazetarët. Në këtë rast dyshohen 10 persona. Në mesin e tyre janë ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, dhe kryeshfii Drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujevski. Sipas PSP-së i dyshuari i parë me ndihmën e të dyshuarit të dytë në sistemet për përgjim pa urdhër gjyqësor kanë futur numra të telefonave që kanë qenë objekt interesi. Sipas hetimit të Prokurorisë Speciale prej vitit 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë të paligjshme janë përgjuar rreth 20 mijë numra të telefonit.

Prokurorja Lençe Ristovska gjatë publikimit të lëndës kishte njoftuar se më së shumti u janë përgjuar telefonat ministrave të atëhershëm në qeverinë e OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së. Është ndjekur në mënyrë të paligjshme edhe ish ministrja e brendshme, Gordana Jankulovska, ish ministri i transportit, Mile Janakievski, por edhe liderët e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Prokuroria Speciale njoftoi se nuk është ndjekur telefoni i kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruevski.

Dje si të dëmtuar në rastin “Target” u paraqitën kryeministri Zoran Zaev dhe ish shefi i DSK-së, Zoran Verushevski. Prokuroria Speciale, e cila nisi hetimin për këtë rast njoftoi se në Maqedoni është përgjuar në mënyrë të paligjshme edhe në vitin 2016, periudhë pasi LSDM-ja zbardhi skandalin me përgjimin e paligjshëm.