Abdulla-Memeti

Abdulla Mehmeti/

Këto ditë, derisa vazhdojnë protestat e qytetarëve të Maqedonisë kundër pushtetit aktual, një dorë e padukshme, sigurisht me porosi të organeve të pushtetit, i ka fshirë të gjitha shenjat rrugore në gjuhën shqipe, edhe pse ato kanë qenë të shkruara përkrah gjuhës maqedonase, edhe atë në udhëkryqet më të frekuentuara në Komunën e Çairit, në afërsi të Çarshisë së vjetër të Shkupit.

Më herët, ky gjest i dorës së zgjatur për ,,bashkëjetesë” mes shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë qytet, i ka mënjanuar të gjitha mbishkrimet në gjuhën shqipe në pjesët tjera të Shkupit.

Me këtë akt të shëmtuar, organet e pushtetit u japin shqiptarëve një porosi të madhe, të cilës duhet t’i përgjigjen drejtuesit e partive politike, të cilët i kanë mashtruar shqiptarët vite me radhë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë! Kur fshihet një gjuhë në mbishkrimet dhe shenjat e rrugëve, ajo gjuhë jo që nuk pranohet si gjuhë zyrtare, por nuk njihet as si gjuhë e pakicës, e cila është në përdorim në një rajon të caktuar të shtetit.

Atentati ndaj gjuhës shqipe në Shkup duhet të konsiderohet si atentat ndaj shtetit, në të cilin më tepër se 50% e popullatës së tij e flasin këtë gjuhë.