Seanca e pesëdhjetë e pesë e Këshillit Komunal të Strugës, edhe pse ishte caktuar nga administrata komunale – nuk u zhvillua, sepse kreu i Këshillit, Avdulla Qazimoski, nuk pranoi ta drejtojë atë edhe pse ishte prezent në sallë. Qazimoski në arsyetimin e tij për gazetën KOHA, potencoi se ai si kryetar i Këshillit nuk ishte konsultuar fare si për rendin e ditës ashtu dhe për caktimin e kohës se kur duhet të zhvillohej seanca. Ai nënvizoi se në cilësinë e këshilltarit do të qëndrojë në sallë, por nuk do të pranojë të drejtojë të njëjtën, sepse nuk është respektuar nga pikëpamja institucionale.

“Nuk jam respektuar nga administrata e cila për asnjë moment nuk është konsultuar me kryesuesin e Këshillit. Kjo që po tentohet të ndodh është në kundërshtim me normat se si duhet të drejtohet Këshilli. Padyshim, edhe ky veprim i sotëm është në vazhdën e praktikave që kanë ndodhur edhe në të kaluarën ku kryetari i Këshillit nuk konsultohet fare në caktimin e rendit të ditës. Nëse Këshilli ka një kryetar, ai nga pikëpamja institucionale duhet të respektohet”, përfundon ai.

Edhe pse u bënë disa tentativa në funksion të tejkalimit të këtij momenti, seanca e konvokuar për sot u caktua për më 20 prill. Ndërkohë nga Shërbimi për Informim në Komunën e Strugës, potencojnë se seanca e rregullt e Këshillit të Komunës së Strugës, nuk u mbajt për të dytën herë për shkak të joseriozitetit, papërgjegjësisë dhe obstruksionit nga ana e kryesuesit të Këshillit të Komunës së Strugës. “Qytetarët e Strugës për të dytën herë radhazi, që nga seanca e 30 marsit, por edhe te seanca e parashikuar për sot, pra 6. 4. 2017 nuk mundën që të përfitojnë për pikat në interes të tyre, të cilat duhej të kalonin nëpërmjet votës në Këshill.

Në rendin e ditës ishin mjaft raporte dhe programe, të cilat duhet të merrnin votën e këshillit në interesin e shkollave, ndërmarrjeve publike, komunës dhe pika të tjera me interes publik. Për këtë arsye, me iniciativë të këshilltarëve nga të gjitha grupet, me nënshkrime paraprakisht të siguruara, më 20 prill do të mbahet mbledhja e Këshillit të Komunës së Strugës, ku një nga pikat e rendit të ditës do të jetë Propozimi për shkarkim të kryetarit të Këshillit të Komunës së Strugës, ku tashmë paraprakisht janë siguruar edhe votat e nevojshme “, theksuan për gazetën KOHA nga Shërbimi për Informim në Komunën e Strugës.