Në konferencën e sotme për media u diskutua për shkeljet që i ka bërë Policia e Kosovë brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, që nga nxjerrja me dhunë e deputetëve të opozitës nga salla e Kuvendit e deri të rasti i Albulena Haxhiut, e cila u sulmua brutalisht nga një zyrtare e policisë së Kosovës, police kjo që ende nuk është arrestuar dhe vazhdon të jetë në detyrë.

“Nxjerrja me dhunë e deputetëve nga salla plenare, arrestimet dhe prangosja brenda hapësirave të Kuvendit si dhe dhuna e përdorur ndaj deputetes Shqipe Pantina gjatë arrestimit, janë tejkalim i paparë i kompetencave. Prezenca e njësive të policisë në sallën plenare gjatë seancave të Kuvendit, nxjerrja me dhunë e deputetëve nga salla dhe arrestimi i tyre brenda Kuvendit është e pabazuar dhe e paligjshme”, tha Nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, duke shtuar se bazuar në Rregulloren e Kuvendit, çdo deputet gëzon imunitet ndaj masave të ndalimit, të arrestit, të ndjekjes penale.  Dërguti më tej theksoi se Policia e Kosovës është e obliguar që të mos zbatojë urdhrat e kundërligjshëm të eprorëve të tyre. “Duke iu referuar Nenit 13. Paragrafi 2, i Ligjit të Policisë së Republikës së Kosovës, policët janë përfshirë në kryerje të veprës penale, përmes zbatimit të urdhrave të kundërligjshëm. Me këtë rast ju bëjmë thirrje edhe eprorëve të Policisë së Kosovës që para se të marrin çfarëdo vendimi për intervenim në Kuvend, të mos i pranojnë urdhrat politik që i fusin në lajthitje,  pa e konsultuar bazën ligjore sepse shumë shpejt kanë për t’u përballur me përgjegjësi penale për veprimet e tyre”, u shpreh Dërguti.

Deputeti Rexhep Selimi tha se koalicioni qeverisës nga paniku, po ushtron terror psikologjik mbi qytetarët e Republikës së Kosovës. Ai theksoi se pushteti vazhdimisht ka folur se si opozita po ushtron dhunë, se si protestat do të jenë të dhunshme, përderisa keqpërdorte Policinë e Kosovës duke e futur në mes të masës, vetëm e vetëm që të provokojë dhunë. “Përderisa pushteti fliste për eksploziv të mundshëm, në Fushë Kosovë u arrestuan tre persona me 12,5 kg eksploziv dhe 2 mitraloz, duke ardhur drejt Prishtinës. Të arrestuar ishin Sheremet Jashari nga Klina e Mesme e Skenderajt, Avdullah Rama nga Sankoci i Drenasit, dhe Naser Veseli nga fshati Braboniq i Mitrovicës. Ky rast u mbajt top sekret nga ana e Policisë së Kosovës. Çfarë paska qenë duke përgatitur pushteti për 17 shkurt?”, pyeti Selimi, duke shtuar se të arrestuarit e këtij rasti u dërguan në arrest shtëpiak, masë kjo e njëjtë me atë të Albulena Haxhiut, por shumë më e lehtë se ajo ndaj Glauk Konjufcës i cili vazhdon të mbahet padrejtësisht në burg. Lidhur me këto plane të pushtetit për të pasur dhunë nëpër protesta ashtu që të legjitimohen intervenimet brutale, Selimi përmendi edhe ftesën e Thaçit për antimiting në ditën që do bëhej President.

Më tutje, deputeti Rexhep Selimi përmendi edhe një varg shkeljesh të pushtetit, si vendosja e snajperistëve në objektet përreth protestuesve, shtetrrethimi i Kuvendit, vendosja e qindra policëve brenda sallës së Kuvendit, ndërhyrja brutale në kampin protestues dhe konfiskimi i tendave, hyrja dhe arrestimi brenda kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës pa autorizim, mosmarrja e masave nga policia dhe gjyqësia ndaj atij që gjuajti me armë zjarri nga dritarja e PDK-së, e të ngjashme.

Për të gjitha këto shkelje, janë përgjegjës Kryeministri, Ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Drejtori i Operacioneve të Policisë së Kosovës, dhe cilido oficer apo polic që me vetëdije e ka shkelur ligjin”, tha në fund Selimi.