Qeveria lëshoi euro-obligacion të ri në vlerë prej 650 milionë euro. Vendimi i këtillë dje është shpallur edhe në Gazetën zyrtare. Me këtë, pushteti për vetëm disa muaj vendin e fut në borxh me 920 milion euro. Euro-obligacioni i ri i publikuar në Gazetën zyrtare do të realizohet në vitin 2016, ndërsa paratë do të shfrytëzohen për mbulimin e deficitit buxhetor për këtë dhe për vitin tjetër si dhe për mbulimin e borxheve të vjetra. Euro-obligacioni do të paguhet për 10 vite, ndërsa do të lëshohet përmes përfaqësisë së Dojçe Bank në Londër. Në vendimin e qeverisë thuhet se euro-obligacioni do të ketë kuotë dhe me to do të tregtohet në bursën e Irlandës për letra me vlerë. Interesin do ta paguajë Ministria e financave edhe atë njëherë në vit nëse euro-obligacioni lëshohet në euro ose në gjysmë viti nëse ajo është në dollarë. Gjatë mëngjesit të sotëm edhe Agjencia me renome botërore Rojters informoi se duke filluar nga e hëna, 11 korrik, do të organizohen një sërë takimesh me investitorë në Britaninë e Madhe dhe në SHBA. Ndaj kësaj menjëherë reaguan një pjesë e partive politike në vend. LSDM me qëndrim se ministri Minovski ka vendosur të bëhet kamikaz i gatshëm ta shkatërrojë Maqedoninë, ekonominë dhe qytetarët me urdhër të padronit të tij Gruevski.

“I fshehur jashtë Qeverisë në ndonjë plazh të Sicilisë, Gruevski Maqedonisë i jep goditjen e fundit vdekjeprurëse. Me lëshimin eventual të euro-obligacionit me vlerë marramendëse prej 650 milionë euro, Gruevski për vetëm tetë muaj qytetarët do t’i fusë në borxh në tregjet e huaja 920 milionë euro. Nëse lëshohet ky euro-obligacion, borxhi publik vetëm për një ditë do të rritet për 54% nga BPV-ja”, thanë nga LSDM.

“Reformisti ekonomik Gruevski çdo foshnje të sapolindur e ngarkon me borxh prej 3 mijë euro”, thanë nga PRSD.

Ky është euro-obligacioni i katërt që e lëshon garnitura aktuale në krye me VMRO-BDI. Nëse lëshohet me shumën prej 650 milionë euro, bashkë me tjerat do të jenë gjithsej 1.6 miliardë euro. Edhe pse në fund të vitit të kaluar kur u mor euro-obligacioni i fundit, ministri i atëhershëm Zoran Stavrevski tha se qytetarët duhet të jenë të qetë sepse para do të ketë për tërë vitin, ndaj, mbeten të paqarta shkaqet e marrjes së euro-obligacionit më të madh deri më tani. Nuk dihet sa interes do të paguhet për këtë euro-obligacion, nëse dihet se vendi gjendet në krizë politike dhe është në presion shtesë të Komisionit Evropian i cili shkurtoi para nga IPA fondet, ndërsa Agjencia e kredive FIÇ paralajmëroi se për shkak të ngjarjeve në vend mund të ketë ulje të rejtingut kreditor- faktorë këto që do të ndikojnë në kamatën që vendi do duhet ta paguajë për këtë euro-obligacion.

Të gjitha euro-obligacionet e kësaj garniture qeveritare
175 milionë euro në vitin 2009
500 milionë euro në vitin 2014
270 milionë euro në vitin 2015
650 milionë euro në vitin 2016
Gjithsej 1 miliardë e 595 milionë euro pa kamatë.