Qindra qytetarë, të shqetësuar nga fenomeni i ikjes së të rinjve nga vendi, protestuan para Qeverisë ku edhe vendosën këpucë në rrugë. Sipas aktivistëve, të dhënat e organizatave ndërkombëtare tregojnë se rreth 600 mijë persona kanë lëshuar Maqedoninë dhe se fajtori kryesor është sistemi politik në vend.

“Rreth 600 mijë qytetarë e kanë lëshuar Maqedoninë. Kjo është shifër relevante e vërtetuar nga shumë organizata. Sa për kuriozitet. Vitet 90-ta, Shkupi ishte qytet me 600 mijë banorë, tash imagjinoni pas 20 viteve Shkupi është zhdukur nga planeti Tokë. 600 mijë njerëz janë larguar! Çfarë pasoja sjell kjo për Maqedoninë?”, deklaroi aktivisti Nikolla Pisarev.

“Derisa kjo Qeveri është, vështirë të ndryshohet diçka. Kështu më ka thënë vajza ime e cila për këtë arsye ka ikur në Amerikë”, tha një qytetare.
“Të rinjtë nuk kanë ekzistencë, mbijetesë, nëpër rrugë janë, nëpër kafiteri. Ku të shkojnë këtu?! Të rinjtë duan të punojnë”, u shpreh një qytetar.

Organizatorët paralajmëruan protesta edhe në javët e ardhshme.

Qytetarët konsiderojnë se duhen reforma themelore, me qëllim parandalim e këtij fenomeni.

“Duhet ndryshim total. Ne duhet të nisim me ndryshimet në sistem, duke ndërtuar sistem të ri sepse 10 vitet e fundit kemi qenë në “out”. Secili të kontribuojë në këtë vend, sa dhe si të mundet, me qëllim që të ndryshojnë punët në të mirën tonë”, tha një qytetare.
“Kam dal këtu kundër të gjitha politikave të kësaj Qeverie, mes tjerash, të ikë nga vendi diçka e çmuar, e bukur dhe e bekuar si rinia dhe perspektiva e tyre, është tmerr. Për këtë kam dalur këtu”, u shpreh një qytetar.
Qytetarët që folën e bëjnë përgjegjësie qeverinë për politika të dështuara që nxisin largimin e të rinjve jashtë vendit.