Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Kontroll të Autostradave, po shqipton gjoba ndaj personave që ndalen në autostradën ‘Arbën Xhaferi’

Përmes një komunikate policia ka bërë të ditur se qytetarët po ndalen në autostradë për të bërë fotografi e këtë po e bëjnë duke i ndalur veturat e tyre në shiritat emergjentë të autostrasës.

“Disa pjesëmarrës në trafik, në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, konkretisht në urën mbi lumin Lepenc, për kuriozitet dhe për shkak të bukurive që ofron kjo urë, ndalojnë me automjetet e tyre në shiritat emergjentë dhe zbresin nga automjetet ku në shumë raste bëjnë edhe fotografime të ndryshme e kjo është bërë edhe në grupe, me çka është rrezikuar siguria e tyre dhe e pjesëmarrësve të tjerë në trafik”, bën të ditur policia.

“Policia me qëllim të shtimit të sigurisë në autostradë, gjatë tri javëve të shkuara ka shqiptuar gjithsejtë 33 tiketa në këtë lokacion: 28 tiketa ndaj shoferëve për ndalje në autostradë dhe 5 për lëvizjen e këmbësorëve në autostradë”, bëhet e ditur në komunikatë.