Uji i pijshëm vazhdon të mbetet problem kyç për tetovarët. Jo vetëm për shkak të mungesës, por edhe për shkak të kualitetit të ujit për pije. Sipas qytetarëve të Tetovës, ditët e fundit uji kishte marrë  një shije dhe ngjyrë të çuditshme. Kjo shkaktoi panikë mes tetovarëve të cilët kishin mëdyshje nëse guxojnë ta konsumojnë ujin ose jo.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Lëvizjes Qytetare “Eko Guerila” të cilët thonë se ky ujë  mund të ju shkaktojë rrezik qytetarëve nëse e përdorin. Njëkohësisht edhe Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, filloi analizën e ujit, me çka sipas rezultateve të para thuhet se uji është i pijshëm, por të njëjtin nuk ua rekomandojnë qytetarëve, deklaratë kjo që sipas Vesel Qazimit nga Eko Guerila është qesharake.

VESEL QAZIMI, EKOGUERILA

“Shumë qytetarë të shqetësuar na kanë dërguar fotografi dhe video të ndryshme, se uji në Tetovë ka një ndryshim, në erë, po ashtu edhe në shije dhe pas atyre fotove ne reaguam përmes një deklarate ku kërkuam që të bëhen analizat e ujit…Menjëherë ka reaguar edhe Instituti për Shëndet Publik, por reagimi i tyre ngjason pak qesharak, për arsye se ata thonë se nuk e rekomandojnë ujin për pije, ndërkaq uji është gjithçka në rregull. Nëse uji është në rregull, atëherë nuk e di pse duhet të mos e rekomandojnë”.

Ndërkaq, janë vetë qytetarët të cilët ankohen për gjendjen e ujit të pijshëm, nga i cili tashmë i kanë ndjerë pasojat. Andaj ata porosisin që mos të kërkojnë vota nga qytetarët derisa tetovarëve nuk iu zgjidhen problemet elementare.

QYTETAR

“Është mëse e vërtetë, sepse ajo është më siguri është e përzier me ndonjë burim tjetër. Por, ato duhet të marrin masa…Unë kam pirë, prandaj kam pasur dhimje të barkut, njëjtë edhe shoqes time, përshkak se ai ujë ka bakterie, e ato bakterie brenda shumohen. Por, duhet të mirren masa, të ketë pastërti tek…prandaj mos të kërkojnë nga populli që ti votojmë, por le të punojnë sepse ndryshe është të thuash ta veprosh”.

Ndërsa nga Qendra për Shëndet Publik këmbëngulin që uji është i pijshëm, bazuar në rezultatet fillestare të tyre. Kurse rezultatet shtesë dhe më të zgjeruara që duheshte sot të dalin nga Instituti i Shëndetit Publik në Shkup, ende nuk janë të gatshme, por të njejtat shpresojnë se do t’i kenë gjatë ditës së nesërme.

QENDRA PËR SHËNDET PUBLIK

“Rezultatet e para janë në rregull, kemi dërguar analizë në Shkup tek Institutti i Shëndetit Publik. prej atje nuk kemi ende rezultate definitive, kemi rezultate gojore se gjitha parametrat janë në nivel të duhur, nuk ka oscilim, janë në vlera normale…Mund ta konsumojnë për të pirë përshkak se rezultatet e para janë në rregull”.

Ne kërkuam prononcim edhe prej Komunës së Tetovës, por ata thanë se nuk ndjehen kompetent për këtë çështje. /SHENJA/