Rajoni i Shkupit do të furnizohet me dy pika për ngarkim-shkarkim të mbeturinave. Pika e parë është në Shuto Orizare, e cila do t’i ofrojë shërbime komunave Butel, Gjorçe Petrov, Karposh, Saraj, Çuçer-Sandevë dhe Shuto Orizare. Pika e dytë do të jetë në “Vardarishte”, në Gazi Babë dhe do t’i ofrojë shërbime komunave Gazi Babë, Haraçinë, Petrovec dhe Ilinden. Komunat Aerodrom, Kisella Vodë, Qendër, Çair, Zelenikovë, Studeniçan dhe Sopishte do t’i transportojnë mbeturinat e tyre drejtpërdrejt në qendrën për menaxhim me mbeturinat “Drislla”.

Me pikat për ngarkim-shkarkim do të mundësohet transportim më i lehtë i të gjitha mbeturinave prej komunave ku krijohen deri në deponinë “Drislla”. Menaxhimi me këto pika transporti do të jetë nga Qyteti i Shkupit, gjegjësisht përmes Ndërmarrjes Publike Komunale “Higjiena komunale” – Shkup. Siç konfirmoi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) për MIA-n, dy lokacionet e përzgjedhura tashmë shfrytëzohen prej kësaj ndërmarrje si pika ngarkim-sharkimi dhe qendra për grumbullimin e mbeturinave komunale, ku bëhet edhe selektimi primar, por është nevojshme të ekipohen dhe të licencohen.

“U mbetet kryetarëve të komunave të sjellin vendim dhe të dakordohen me ndërmarrjet komunale publike prej komunave rurale të Shkupit t’i dërgojnë mbeturinat në këto pika transporti, ndërsa më pas me kamion të madh mbeturinat të dërgohen në deponinë “Drislla”, informon MMPJH. Kjo parashihet me projektin “Përgatitja e dokumenteve të nevojshme për vendosjen e sistemit të integruar dhe financiar të vetëqëndrueshëm për menaxhim me mbeturina në rajonin e Pellagonisë, rajonin Jugperëndimor, të Vardarit dhe të Shkupit”. Projekti është iniciuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në kuadër të IPA, i ndarë nga Sektori për financim qendror dhe dakordimin e marrëveshjeve në kuadër të Ministrisë së Financave dhe i zbatuar nga ENVIROPLAN S.A. dhe partnerët e tij të konzorciumit, LOUIS BERGER – BiPRO GmbH – EPEM S.A. – SLR Consulting Limited.

Në kuadër të këtij projekti është përgatitur edhe studim për vlerësimin e ndikimit mbi mjedisin jetësor për dy pikat për transportin e mbeturinave, të cilat në pajtim me analizat, si lokacione më të mira u zgjodhën Shuto Orizare dhe Gazi Baba. Projekti do të kushtojë rreth 13 milionë euro, ndërsa i gjithë kapaciteti duhet të fillojë me punë deri në fund të vitit 2021. Për momentin rajoni i Shkupit e ka mënyrën më të avancuar të menaxhimit me mbeturina, teknologjinë më të avancuar dhe bëhet riciklim i pjesshëm.