Rama sfidon PD: Reformë ose zgjedhje. Do merrni më shumë se 1 milion shuplaka

Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh të qartë dhe të prerë opozitës se çfarë do të ndodhë nëse vjen një votë kundër reformës në drejtësi, duke zbuluar kështu planin “B”.

Për herë të parë reforma u barazvlerësua me sovranin. “Reformën në drejtësi e ka përcaktuar si domosdoshëmëri jo vetëm koha, por edhe vullneti sorvan i shqiptarëve”, ka deklaruar Rama.

Për kryeministrin, është e qartë se Venecia mbyti shumë nga ankesat e të djathtëve, të cilët nëse votojnë kundër, kanë vetëm një alternativë: zgjedhjet.

“Sado të rrotullohen e rrotullohen ata të qeverisë së vjetër, sado varka të marrin nga Venecia, të shkojnë nga Tirana në Venecia dhe të bëjnë fut kokën e nxirr kokën nga uji, do të vijnë dhe o do të votojnë reformën në drejtësi, o pastaj ato 1 milion shuplakat e dy viteve e gjysmë më parë do t’u duken përkëdhelje në raport me ato të tjerat që do të marrin në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Rama.