Partitë shqiptare të cilat nuk janë pjesë e parlamentit nuk e kanë mirëpritur vendimin e BDI-së që ka të bëjë me dorëheqjen e parevokueshme të ministrave të kësaj partie nga qeveria. Këtë dorëheqje kolektive ata e konsiderojnë si paaftësi të grupit të ministrave të BDI-së për t’u përballuar me krizën politike. Lideri i LR-PDSH-së, Ziadin Sela këtë vendim e ka konsideruar si një mundësi që funksionarët e BDI-së vuajnë nga i ashtuquajturi, sindrom i Stokholmit.

“Mendoj që BDI është vet shantazhi dhe bashkautori i gjithë inskenimeve të cilat shqiptarëve u janë bërë në këtë 15 vjeçar. Në qoftë se është e vërteta te e dyta që ka tërheq ca ministra për t’i zëvendësuar me të tjerë që sipas informatave të mia është kjo e vërteta, atëherë BDI po bën shtirjen e radhës në vazhdën e shumë shtirjeve dhe mashtrimeve që ua ka servuar shqiptareve”, tha për Alsat-M, Ziadin Sela, LR-PDSH.

Edhe nga Lëvizja Besa thonë se ky vendim ka të bëjë me mospërballjen e BDI-së me nismën e agjendave për dekriminalizimin e qeverisë.

“BDI del në mbrojtje të politikave anti-amerikane. Akoma pa u pastruar lista zgjedhore, akoma pa u reformuar ligji shumë i rëndësishëm për media dhe në kohën kur Prokuroria speciale fillon me veprimtarinë e saj, BDI del në mbrojtje të VMRO-DMNE-së që t’ju kryej shërbim atyre, që sado pak të shpëtojnë dicka dhe strukturat e tij politikisht të vdekura, t’i shpëtojë”, Faton Fazliu, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Vendimmarrja e tillë, sipas RDK-së është paaftësi e ministrave për të udhëhequr me institucionet. Fajtori kryesor sipas kësaj partie, është vetë lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

“Vendimi i mbrëmshëm i BDI-së shpreh situatën e vështirë të këtij subjekti të kapur nga partia e saj simotër VMRO dhe dëshirën e BDI-së për t’i hedhur hi syve popullit shqiptar me lojëra që tashmë janë bërë të zakonshme në situatat parazgjedhore. RDK është e bindur se nëse dikush duhet të mbajë llogari për mjerimin e shqiptarëve ai është Kryetari i BDI-së”, thanë nga RDK.

Ndërkohën lideri i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov ka thënë se nuk dihen arsyet e vendimit për lëshimin e qeverisë nga BDI, por që mënyra më e mirë për t’u realizuar reforma reale dhe për të dalë nga kriza politike është formimi i një qeverie teknike e cila do të kujdesej për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.