Shoqata e Gazetarëve e quan sulm brutal ndaj pavarësisë së mediave, propozimin e VMRO-DPMNE-së për reformim të këtij sektori dhe akuzoi se me këtë propozim, qeveria po tenton të ndërhyjë në politikën, financat dhe misionin e sektorit mediatik.

“Propozimi vret thelbin e ekzistimit të mediave në një shoqëri demokratike, të informojnë në kohë, në mënyrë kritike ta observojnë realitetin dhe të nxisë debat për çështjet m,e interes publik. Ftojmë LSDM, BDI dhe PDSH si dhe BE-në dhe SHBA-të që në mënyrë kategorike të hedhin poshtë propozimin e VMRO-DPMNE-së dhe të angazhohen për idetë e ndërmjetësit Piter Vanhojte, si zgjidhje e vetme sistemore që krijon parakushte për media të lira”, tha Naser Selmani – SHGM.

Paksa tërthorazi, propozimin e VMRO-së e komentoi ambasadori britanik, Charls Garrett duke theksuar rëndësinë e depolitizimit të mediave, për të cilën si shembull i mori institucionet mediatike të vendit të tij.

“Meqë vij nga Britania e Madhe ku shërbimi publik dhe kompanitë mediatike përpiqen të jetë sa më apolitike që është e mundur, instinktivisht e ndjej që tentimi për të arritur një përkrahje të balancuar politike në çdo organizatë është një detyrë e rëndë. Ne duam që sikur në BBC dhe në shërbimin publik, të emërohen njerëz duke u bazuar në aftësinë për të bërë një punë dhe duke ju kërkuar që ti lënë pikëpamjet politike në shtëpi më shumë se sa ti sjellin në punë. Por siç thash, kjo është çështje që duhet ta diskuton grupi punues dhe të nxjerr një zgjidhje për të cilën besojnë se është e duhura për Maqedoninë”, u shpreh Carls Gereth, Ambasador i Britanisë së Madhe.

Nga RTVM-ja refuzuan ta komentojnë propozimin të cilin e dha VMRO-DPMNEnë takimin e fundit të grupit të punës të partive politike me pretekst se nuk duan të komentojnë asnjë deklaratë politike apo vendim të partive.

“Mbetet vendim i partive që të gjejnë zgjidhje të cilën do ta zbatojnë në RTVM. Mbetet çështje tjetër pyetja se a janë në përputhje me standardet evropiane ose jo këto propozime. Të presim të mbaroj procesi dhe në fund ne si RTVM do ta japim qëndrimin për epilogun përfundimtar për të cilin do të merren vesh partitë”, u shpreh Marian Cvetkovski RTVM, përcjell alsatm.

Propozimi i VMRO-së parasheh që pushteti dhe opozita të kenë nga një redaktor në RTVM, të ketë rritje të buxhetit të shërbimit publik për 0.03 për qind, por edhe të mbetet në fuqi taksa radiodifuzive, të ketë ulje të gjobave për mediat si dhe të ketë ndarje të hapësirës për propagandë partiake gjatë zgjedhjeve në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të fundit./alsat-m