Analisti Rexhail Ramadani vlerëson se kthimi i mr.Bardhyl Mahmutit në politikën shqiptare në Maqedoni është i dobishëm dhe i shërben kauzës shqiptare në Maqedoni.

Sipas tij, Bardhyl Mahmuti është konstruktiv dhe njohës shumë i mirë i funksionimit të shteteve multietnike, sepse është i ngritur intelektualisht si politolog në Zvicër, pikërisht në shtetin që ka përvojë më të madhe të harmonizimit të etnive të ndryshme në një shtet.

“Ideja e tij mbi sovranitetin vertikal ishte një inovacion dhe platforma e tij e godiste sistemin politik që bazohet mbi dominimin etnik dhe përfaqësimin e politikanëve shqiptarë zakonisht të ngulfatur nga hipotekat e tyre dhe të korruptuar. Doemos për hir te së ardhmes dhe fatit të shumë të rinjve dhe te rejave, pa dallim se në cilën parti gravitojnë, ata kanë nevojë për perspektivë”, thotë për Zhurnal, Ramadani.

Sipas tij, kohëve te fundit, në opozitë janë paraqitur figura të reja, intelektualë, vlera të reja që po sjellin para opinionit shumë risi dhe disi po thyhet ajo politika e miteve të rrejshme e cila duhet te çrrënjoset sa me shpejtë.

“Pra, është koha që të krijohet një elitë e re politike dhe një elitë e re intelektuale e cila do të mendoje për fatin e kombit shqiptar në Maqedoni, fatin e shumë të rinjve dhe te rejave, si dhe barazinë si kusht sine qua non të bashkëjetesës, pra, gjithë figurat me kapital intelektual dhe moral. Është e dobishme që të hapet skena politike për këto vlera në mënyrë që të përfitojë kombi shqiptar në Maqedoni, si dhe të trajtohet me dinjitet kombi shqiptar në Maqedoni, si i vetmi kusht i ekzistencës së shtetit të brishtë të Maqedonisë”, vlerëson Ramadani.

Një pjesë të fajit ai e hedh te vetë shqiptarët e Maqedonisë, sepse kemi pasur një elitë të korruptuar politike dhe një elitë intelektuale të papjekur kombëtarisht. “Andaj, në këtë aspekt, një politikan si Bardhyl Mahmuti me kapitalin intelektual, politik dhe diplomatik është i dobishëm të jetë në skenën politike, siç janë të dobishëm edhe shumë figura të pastra politike që dëshmuan kompetencë, profesionalizëm dhe dinjitet. Kohën e kanë që bashkë me frymën konstruktive qe po e sjellin partitë opozitare, të formohet një front i përbashkët për të ndryshuar skenën politike shqiptare në Maqedoni, si dhe sistemin politik që funksionon në Maqedoni”, apelon Ramadani.

Sipas analistit Rexhail Ramadani, ndryshimi është i domosdoshëm dhe i paevitueshëm, sespe populli ka sytë nga shpresa. “E vetmja shpresë është që një fryme e re dhe ndryshe, një gjeneratë e re të marrë në dorë fatin e një populli në mënyrë që përfundimisht, nëpërkëmbjes t’i thuhet stop. Shqiptarët janë taksapagues të këtij shteti dhe nuk mund të keqtrajtohen nga shteti dhe nga të korruptuarit politikanë shqiptarë, të tallen me fatin e një kombi me punëtorin, me profesorin, mjekun, motrat tona me nënat tona dhe me heronjtë tanë”, potencon ai, për të përfunduar me konstatimin se “Politika e re duhet të jete në frymën e kthimit në dinjitet, dhe mendoj se kjo frymë po zgjerohet pozitivisht”.