Njihet si një ndër tekstshkrueset më të mira në vend, e jo rastësisht në këngët pjesëmarrëse në festivale Rozana Radi ka pasur fabula të veçanta e domethënëse. Edhe këtë vit, ajo ka arritur të rrëmbejë vëmendjen e publikut me këngën “Ma thuaj ti”, e cila është monologu i një femre dhe nëne të dhunuar.

“Në Këngë Magjike vij për të dhënë mesazh dhe për të lënë gjurmë”, – tregon këngëtarja për “Bluetooth”. Megjithatë, çmimet janë të rëndësishme për karrierën e çdo artisti, dhe Rozana nuk bën përjashtim: “Në Këngwn Magjike janë nderuar të gjithë me çmime dhe kush shkon në finale, e merr një çmim. Asnjë këngë e mirë nuk del pa çmim në këtë festival dhe kjo është pozitive”, – pohon këngëtarja, e cila pranon se është ende herët për të menduar për çmimin e parë.

rozi

“Nuk i kam dëgjuar ende të gjitha këngët”, – thotë ajo. Ndonëse është vlerësuar shpesh me çmime në festivalet ku ka marrë pjesë, Rozana nuk ka arritur ta marrë trofeun e çmimit të parë. Sidoqoftë, kjo nuk e ka bërë që t’i braktisë festivalet. “Jam shumë e re për të hequr dorë nga festivalet”, – thotë ajo.

E teksa kënga e saj “Ma thuaj ti” numëron më shumë se 800 mijë klikime në Youtube, Rozana vjen në rolin e prezantueses në një emision investigativ. “Boom” titullohet programi që këngëtarja drejton së bashku me Fiori Dardhën në Ora News: “Boom” është një emision që do të sjellë një frymë të re. Ai është konceptuar ndryshe”, – tregon Rozana, sipas së cilës, është programi më i veçantë nga të gjithë edhe për një arsye tjetër: “Stafi është i përbërë vetëm nga femra dhe ne themi ‘Who run the word? Girls (Kush e drejton botën? Vajzat)’. Kur një staf ka vetëm femra, mendohet se edhe fryma do të jetë shumë e mirë. Them frymë e mirë jo se do t’i shohim gjërat me pozitivitet, por frymë e mirë në aspektin e show-t. Nisur që nga skenografia, kostumografia, ndriçimi, janë të gjithë elementë që do të sjellin diçka ndryshe”.

rozana

Rozana Radin deri tani e kemi parë si aktore, këngëtare, tekstshkruese e kërcimtare. Por, çfarë ka mbetur pa bërë dhe në cilin rol do ta shohim në të ardhmen? Këngëtarja përgjigjet: “Nuk jam bërë akoma mama, kjo ka mbetur pa bërë. Unë nuk planifikoj asgjë, nuk bëj plane në jetën time, të gjitha gjërat m’i ka sjellë Zoti”. E pyetur nëse do të bëhet nënë së shpejti, Rozana thotë: “Kush femër nuk do të bëhet nënë?! Unë, që kur kam parë mamanë time, mendoja se do bëhesha një nënë shembullore”.