Regjisori Sulejman Rushiti, ish Ministër i Arsimit dhe Shkencës gjatë një interviste në TV Globi ka folur rreth ngjarjeve të fundit politike. Mes tjerash, Rushiti është pyetur edhe për Platformën maqedonase të paralajmëruar nga disa profesorë maqedonas, që do ti kundërvihej Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare.

Për Rushititn, kjo ide është joserioze dhe se nuk do të ketë sukses. Sipas tij, për të protestuar për diçka, duhet ta ndjesh atë problematikë. Prandaj sipas Rushitit kjo ide nuk do të ketë shumë përkrahje tek vetë maqedonasit.
“Mendoj se nuk do të ketë shumë, për shkak se nuk bëhen protesta me subvencione, por duhet ta ndjesh diçka si të vërtetë dhe ata që e ndjejnë atë janë shumë pak. Për fat të mirë ka edhe shumë zëra kundër kësaj. Nëse dikur në raport me shqiptarët, maqedonasit ishin të gjithë unik në mendim, tani në këtë kohë ka edhe zëra kundër dhe që mendojnë se ka ardhur koha që të bisedohet dhe se nuk iu pengon kjo gjë”- shprehet Sulejman Rushiti.
Dikur Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti, vlerësoi qasjen e re të politikës shqiptare, duke i thyer disa tabu tema sa i përket komunikimit mes partive politike shqiptare. Tryeza e përbashkët dhe Deklarata e partive shqiptare, për Rushitin duhet të mbesin si traditë e shenjtë në të ardhmen e politikëbërjes shqiptare.