”BDI do bije, jo nga partitë tjera por nga mallkimi. Hija e mallkimit që ata nuk e shohin i ka mbuluar. Mallkimi është fryma e nënave, djersa e mërgatës, sofra e malësorit, nëma e luftëtarit.”

Intervistë me Safet Hysenin nga Zajazi i Kërçovës (bashkëveprimtar i atyre që sot gjenden në krye të BDI-së). Kohë më parë iu pat drejtuar ish shokëve të tij tani (14 vjet) funksionarë të lartë partiak, qeveritar e deputet: z. Ali Ahmeti, z. Musa Xhaferri, z. Tahir Hani dhe z. Xhevat Ademi me porosi ”Kërkoni falje dhe shkoni!”

Në vazhdim e keni intervistën për portalin UPress.mk.

Z. Safet Hyseni në letrën e hapur para disa muajsh shokëve tuaj të dikurshëm u drejtohesh me fjalët ”Kërkoni falje dhe shkoni” çfarë qe ajo që e derdhi kupën për t’ju drejtuar me këto fjalë?

Edhe atëherë por edhe sot mendoj se veprimi i tyre politikë është bërë i dëmshëm për shqiptarët. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Unë që nga fillimi i formimit të BDI-së kam shprehur bindjet e mia se koncepti i tyre politikë s’ka të bëjë me qëllimet e proklamuara në dokumente apo në premtimet pa mbulesë nëpër fushata zgjedhore. Kur kam dal nga BDI ua kam thënë edhe arsyet. Ika nga kjo skuadër në vitin 2002 menjëherë pas zgjedhjeve kur BDI fitoj bindshëm. Veprimi im apo largimi ka qenë drejtë vetëdijesimit të tyre për të ndryshuar konceptin e tyre, për të vepruar politikisht për barabarësi, për të mos e futur  kokën në një zgjedhë tejet të paidentitet, bile mund të thuhet të turpshme. Unë gjatë gjithë kohës në shkrimet e mia kam qenë shumë kritik si në komente, kolumne, analiza… madje edhe nëpër librat e mi qoftë të artit apo publicistikë, dhe kjo është kuptuar nga ana e tyre sikur unë kam qëllime tjera dhe ka ndodh thjeshtë izolimi.  Unë mendoj se rasti i Kumanovës ku robërve iu merret jeta, gjë e cila nuk ka ndodh as me fiset barbare duhej reaguar jo vetem unë por edhe të tjerë. Unë edhe atëherë edhe sot mendoj se ata janë në rrugë të gabuar. Të kërkosh falje, përse nuk di ta bësh një punë, nuk është turp. Të kërkosh falje pse nuk mundesh, nuk është turp, port të kërkosh falje se ja unë iu mashtrova 16 vite dhe ju më besuat është e turpshme, dhe më e turpshme të vazhdosh të mashtrosh veten. Unë iu thash “Kërkoni falje dhe shkoni”, edhe arsyet ua numërova, edhe mëkatet. Të më kishin dëgjuar do kishin shpëtuar nga dy gështi (gishta) fytyrë. Tash pas publikimit të disa përgjimeve që fatkeqësisht dihen është e kot. Përgjimet i kanë edhe të tjerë, ata s’munden t’iu shpëtojnë. Përgjimet që nuk bëhen publike ua mbajnë qafën në zgjedhë. Ju mbase i dini se si përfundojnë ngjarjet në histori që nga Komuna e Parisit. I pari në fillim do jap shtresën që i bënë zhurmë dhe kjo do shkoj varg deri te bashkëpunëtori më i ngushtë, por mallkimi në fund do i gropos të gjithë. Tani mendoj se nuk duhet të ikin por duhet t’i përzë populli edhe ato edhe PDSH-në. Ata nuk ikin se u është trashur qafa nën zgjedhë, kështu thoshim ne një kohë kur ishim studentë për të tjerët. Tash dua që të rrinë aty ku janë, se afrohet moment që ta pësojnë si dikur PPD.


Hyseni kur e kuptuat ju atë që thoni në intervistat tuaja se ”
Politika e BDI-së nuk i ngjan një subjekti por një strukture shërbimi.” dhe a nuk ndjeheni edhe ju fajtorë që nuk keni reaguar në kohë?

 Reagimi im ka qenë me kohë por gjithmonë në vesh të shurdhur. Unë kur u largova nga BDI përmenda se nuk më pëlqen politika e kuadrove dhe shumë elemente tjera subjektive që ndikojnë në rrjedhat politike. Nuk e ndjej veten fajtor se asaj kohe iu kam thëne edhe 5 anëtarëve të tjerë të degës së BDI-së të largohemi së bashku për të ndryshuar diçka në të mirë të shqiptarëve. Ata e din, por deshën që të keqen ta luftojnë kinse nga brenda, e brenda ishin përzi lesh delesh e dhish. Nuk shkoj shumë kohë dhe të njëjtët u zëvendësuan me kuadro që për fatin tonë të keq nuk kishin arrit të kryenin as shkollat fillore por mjerisht ishin bërë me fakultet, mu këta jepnin urdhra me perdafe. Nuk ndihem fajtor se i pari e kam quajt të vdekur “Marrëveshjen e Ohrit” në një artikull në vitin 2004. Nga ky moment disa kuadro nuk hezitonin as të pinin kafe me mua. Këtë Marrëveshje BDI e ka pushkatuar, për ta pranuar më në fund para disa muajsh se kërkon interpretim evropian të saj, për të vazhduar me mashtrim të ri. Kjo është një lojë tipike e një shkolle të pashkollë. BDI nuk ka koncept të veprimit politikë. Është subjekt i lidhur për mëkateve të veta.

Në po atë letër të hapur në fjalinë e parë ju përmendni se “U vërtetua se MO është një shtrat i ngushtë ku njëri përherë duhet të jetë përfund” në çfarë aludonit me këtë fjali dhe a kishte të bëjë diçka me përgjimet e fundit?

MO unë e kam lexuar disa herë. Sikur edhe mjaltë të rrjedh,  mua po nuk përmendet populli shqiptar si element shtetformues dhe i barabartë në tokën e vetë pas një lufte të fituar nuk ia vlen ta pranoj se është e mirë, nuk ia vlen as të merrem me një MO që thotë se ata që përbëjnë 20% do kenë edhe ca të drejta shtesë nga romët, ciganët, turqit e shpikur, evgjit, mijakët etj. Ashtu si u krijua kjo MO është vërtetë shtrat i ngushtë, nuk ka vend për dy veta, njëri patjetër të jetë përfund. Bashkëjetesa është barabarësi, ku është barabarësia në një shtet me tre stane barinjsh. Ju po ta shikoni në praktikë ne jemi kthyer në vitin 1983-4 kur me rezoluta komuniste iu merreshin ato të drejta kushtetuese shqiptarëve. Tash me ministra të arsimit shqiptar fëmijët tanë mësojnë histori të falsifikuar, muzikë të huaj, tradita tallava, prejardhje malësorçe… mësuesit vazhdojnë të shkruajnë në dy gjuhë… kjo ndodhi më BDI folklorike. Shqiptarët me këtë MO kanë dyert e hapura të burgjeve se BDI i shpalli terrorist. Më sjellni një fakt a është dënuar ndonjë maqedonas për terrorizëm, apo një shqiptarë në Shqipëri. MO është shtrat i ngushtë po lëvizi ai përfund (shqiptari) e din ku e ka vendin.

A keni paramenduar ndonjëherë se çartja e shokëve tuaj të dikurshëm mund të shkoj deri aq larg?

Po, menjëherë pas ardhjes në pushtet. Posa të biesh në mëkate, dhe këtë mëkat po ta di  shefi i sigurimit, e mjerisht ai ua ka përgaditur, dhe me pas gjithçka merr fund. Që kur u bënë lëshime me MO e kam ditë. Që nga Komunikata nr. 5. Si mendoni ju kur u çarmatosën luftëtarët iu thoshin shkoni në shtëpi por mos dilni se iu burgosin (me luftë të fituar iu burgosin). A e dini se Komunikata nr. 5 thuhej se luftojmë për Maqedoni, a ata tjerët për cka luftonin, d.m.th., vetveten e akuzonim si armik. Ua dorëzuam armët i zhdukin para kamerave e këta tanët thoshin ne kemi uniformat. Çka mund të bënin pionierët e Titos me uniforma, përveç të iu këndonin komandantëve. Unë kam thënë se janë të lidhur lurek, kjo është më e tmerrshme. Ju e dini se fëmijës që fillon të qaj ia heqin së pari shaminë, pastaj duart e në fund ia zgjidhin gatrën. Këta para syve kanë shami ose perde nate dhe nuk qajnë se kanë frikë thuprën e thanës që e mban padroni. Ata i ka zënë mallkimi që është shtrirë gjerë e gjatë mbi BDI, mallkimi i popullit.

Si e komentoni bojkotin e kryetarit të Kërçovës z. Fatmir Deharit dhe ish kryetarit të Tetovës z. Hazbi Lika ndaj BDI-së?

Historikisht fraksionet janë të dobishme në parti. Por kjo nuk mund të ndodh në parti të paprofilizuara, parti pa identitet siç janë subjektet shqiptare në Maqedoni. Të dy i njoh. Hazbin e kam pas shok të burgut dhe më pas edhe mik shtëpie. Fatmirin e njoh është punëtor por nuk ka mbështetje dhe s’do ta ketë as në të ardhmen. Fatmiri beson lehtë siç bëri në të kaluarën me deputetët e diasporës. I kam thënë se kot i bëre gjithë ato fluturime se nuk e kuptoj se ata i janë dhënë VMRO-së qysh në kohë. Si është e mundur që VMRO të fitoj në Zvicër, SHBA, madje në Tiranë dhe Prishtinë. Këto janë lojërat e VMRO-së që BDI-së i lejoj që në Zonën 6 të marr votat nga ora 18 e mbrëmjes për të kënaq folklorin e saj kur aty dihet se 16 deputet janë çdo herë shqiptar. Në politikë duhet hedhur hap konstruktiv, racional dhe jo të japish deklarata emocionale dhe pa mbulesë. Si Fatmiri ashtu dhe Hazbi Lika nuk kanë krijuar rreth strategjik për të bërë reforma në parti. Fatmiri dhe Hazbiu,  besoj se nuk luajnë këtë herë lojën në kokë të vetë. Ali Ahmeti është i rrethuar nga të gjithë ndyrësirat dhe unë mendoj se kjo është loja e ti kinse për të ndërruar të vete emëruarit e përjetshëm  me armën e rebelimit të kinse fraksionit përbrenda. Kjo lojë së shpejti do zbulohet nga shërbimi, se ai ua ka dhënë këtë model. Pastaj ç’duhen reformat kur ajo i ka themelet nga lloçi. BDI po zhduket sot ose nesër. Historia nuk ka mëshirë, as nuk fal.

Pse sipas jush ata nuk iu bashkëngjitën z Zulfi Adilit – Qufës në UNITET ?

UNITET-është një degë e BDI-së për të mbledh të pakënaqurit, të dështuarit dhe të dëshpëruarit. Ata këtë e dinë. Nuk dallojnë asgjë nga BDI. Në Maqedoni përbrenda partive shqiptare ka dhe frymë të VMRO-së dhe LSDM-së. Nuk e di a u kujtohet deklarata e Trajanovit i cili si shef sigurimi kishte krijuar PDSH-në të cilën ia hodhi në prehër shefit të ardhshëm, bashkë më BDI-në. Nuk duhet më shumë të dëgjoni e të besoni se kuadrot në BDI i ka caktuar shefi i sigurimit. Si mund t’i besohet atij kuadri që ta cakton sigurimi i shtetit.

A mendoni se në BDI është i mundur reformim dhe kush mund ta bëjë këtë sipas jush?

BDI do mundohet të bëjë reformim por nuk do mund të qëndroj në këmbë. Ajo do bije, jo nga partitë tjera por nga mallkimi. Hija e mallkimit që ata nuk e shohin i ka mbuluar. Mallkimi është fryma e nënave, djersa e mërgatës, sofra e malësorit, nëma e luftëtarit.

Çfarë mendoni për Lëvizjet (Partitë) Opozitare Shqiptare?

Mendoj se pas lakukuriqësimit të BDI-së dhe veprave të saja të ndyra e kanë shansin historik që ta dërgojnë atje ku ndodhet PPD-ja e dikurshme, në arkivin e turpit. Të dyja erdhën me projekte mashtrimi, me këngë që dita ditës po pësojnë ndryshime,  të dyja e pësuan me turp. Sa për PDSH nuk flasim ajo është prodhim i Trajanovit. Të dyja erdhën më këngë, e para shkoj më brekët nëpër këmbe e dyta do shkojë më zi se e para. Opozita po të ketë programin e barazisë do mundet të profilizohet. MO duhet të shpallet inekzistente nga opozita nëse duan barazi, nëse duan prosperitet, nëse duan faktorizim të shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë nevoja për këngë e folklor, kanë nevojë për parti të profilizuara. Opozita duhet ta di se me MO qafa do mbetet aty ku është.

Sa mendoni se ata mund të jenë një opozitë e vërtetë dhe a mund t’i bëjnë ballë një organizimi që siç thoni ju është strukturë shërbimi?

Kutia e votimit mos sot nesër do mbrohet nga dikush. Është e vështirë por ka momente që edhe sigurimi s’do mund të iu ndihmoj aleatëve të tyre. Pastaj ata janë të shtrydhur mendoj BDI dhe PDSH si dy motra që flejë më një burrë në shtrat, që unë e kam thënë para sa vitesh në librin “Fate të koduara”. Opozita duhet të veproj në drejtim që Maqedonia të jetë një zonë zgjedhore, vetëm kështu do mund t’i fitoj dhe të fitojnë njëherë e përgjithmonë shqiptarët. Në shtetin Maqedoni shqiptarët janë shumicë, por subjektet tona na bëjnë asgjë. Një mik i imi përherë thotë: “Kau me dit sa e ka fuqinë ti kurrë s’mundesh me ia fut kokën nën zgjedhë”, ashtu është edhe me shqiptarët ndodh e njëjta. Në Maqedoni ka mbi 400 mijë bullgar, madje ka dhe profesor universitar ministra e deputet që kanë nënshtetësi bullgare, kjo është thënë në Kuvend të shtetit. Opozita duhet të flas për shumë deformime shoqërore, për shumë fenomene të krijuara politikisht.

Si i shihni përpjekjet e partive opozitare shqiptare për tu bërë bashkë në një koalicion  parazgjedhor?

Në një situatë kur elektorati ka humbur çdo shpresë tek të vetzgjedhurit se kështu është politika e BDI-së dhe PDSH-së ata e kanë patjetër të bëhen bashkë, ose nëse mendojnë se mund t’ia dalin vetë atëherë nuk janë serioz dhe nuk duan të fitojnë apo të ndryshojnë asgjë në jetën e shqiptarit. Nuk shoh ndonjë arsye se çka mund të fitosh në një shtet pa resurse ekonomike, sociale, kulturore, natyrore… Thuaj se asgjë…

Si i komentoni zërat për koalicionime parazgjedhore ndëretnike?

Shqiptarëve nuk iu besojë, ndërsa maqedonasit këtë e kanë bërë sa herë që kanë ndier rrezik nga shqiptarët. Ata për herë janë bashke atje ku ka shqiptar. Politika e tyre shqiptarët i sheh si rrezik për shtetin, andaj i gjithë investimi bëhet për t’i pas si degë të veta politike subjektet shqiptare. Deri tani kanë pas shumë sukses prandaj jemi qytetarë të rendit të tretë dhe vendbanimi ynë i sigurt është burgu, apo shtëpia ku tani nuk shkohet me vite por për tërë jetën.

Si e shihni rolin e faktorit ndërkombëtarë në Maqedoni ?

Faktori ndërkombëtar është vendimtar, por i pa interesuar për një shtet siç është Maqedonia. Ata e din se Maqedonia është e mbrojtur nga shtetet fqinje. I vetmi faktorë që mund të ndryshoj për të mirë Maqedoninë janë shqiptarët. Fatkeqësisht  të zënë ngushtë brenda kufijve, e ata jashtë kufijve të zënë në gjumë. Ju i dini deklaratat për rastin e Kumanovës, si ata nga Kosova por edhe ata nga Shqipëria.

Sa mendoni se është e kapur shoqëria shqiptare në Maqedoni dhe a mendoni se nga një fazë censurimi apo frikësimi tani kemi kaluar në fazën e vetëcenzurimit apo nënshtrimit me dëshirë, e kam fjalën për shtëpi informative, gazeta, OJQ dhe çfarë është ajo që i mban ata të nënshtruara ?

Politika në Maqedoni i ka futur duart në xhepat e popullit moti. Nga këtu ajo prodhon informatat, cezurën dhe vetcenzurën. Ajo ka pensionuar një numër të rinjsh shqiptar që i urdhëron, iu jep detyra, ua servon në pjatë se çka duhet të bëjnë.  Nuk ka asgjë të pavarur të gjitha janë në duart e sigurimit të shtetit, duke filluar nga partitë politike. E kam fjalën për shqiptarët.

Si e komentoni raportin e KSHZ-së për numrin aq të madh të votuesve fiktiv dhe a ka qenë në dijeni sipas jush partia shqiptare në pushtet për këtë gjë?

Partia shqiptare ka qenë e informuar për të gjitha këto por është e pafuqishme që të veproj. Në Kërçovë ata e kanë informatën e saktë se ka 6600 votues fiktiv. Këtë ua kam zbërthyer disa herë. Në zgjedhjet e kaluara ua zbulova edhe banesat se ku strehohen votuesit fiktiv. Kur dhe kush i regjistron e i pajis më letërnjoftime, ku paraqiten, por edhe funksionari shqiptar është fiktiv, që do të thotë kot se është diku kur vetëm numërohet. Me ish kryetarin që unë e shpalla dhe despot të Kërçovës jemi zënë disa herë rreth votuesve fiktiv. Në bazë të të dhënave të tyre zyrtare të shkruara në dy libra Kërcova në kufij të ngushtë kishte 31000 banor ndërsa votues 29000. Nga këtu hiqni banorët nen 18 vjet do shihni se si iu dalin rezultatet. Me gjithë banorët që sillnin nga pusteci e bullgaria për të votuar ata e tejkalonin numrin e banorëve. Në një banesë në Kërçovë ishin të paraqit 66 banues të cilën unë ua zbulova dhe ua nxora dhe në gazetë. Askush nuk reagoj për duhej të zbarkonin mërgata për të pasurua xhepat e shtetit kriminel.

A do të këtë zgjedhje sipas jush më 5 qershor dhe në çfarë drejtimi do të lëviz Maqedonia sipas jush?

Maqedonisë i ka mbetur pak kohë për tu menduar, nëse donë perspektiv, zhvillim dhe bashkëjetesë. Politika duhet të zhvishet nga urrejtja etnike. Maqedonia duke menduar të çlirohet nga faktori shqiptar duke i larguar e dënuar ajo u bullgarizua gati plotësisht për arsye ekonomike, por dhe ashtu ndihen pjesa më e madhe. Të dy këto faktor nuk janë të mirë për shqiptarët. Shqiptarët duhet të flasin me një zë. Shqiptarët kanë humbur shumë kohë për asgjë. Shqiptarët duhet ta hedhin në shportën e plehrave MO, se është një hajmali që vetëm iu bënë dëm dhe të zënë udhën e përparimit. Të barabartë, vetëm të barabartë kjo është Evropa, kjo është Amerika. Askush nuk duron diskriminim etnik, gjuhësor, kulturor… por këto duhet kërkuar e shpjeguar. Ka shumë rrugë e projekte pa këngë e valle, pa rrahje gjoksi, pa qafë të trashur që dëshmojnë se si arrihen të drejtat etnike, ekonomike, kulturore dhe sociale si në rregullime federale, konfederate etj. Uroj që të flasin me një zë.