Me firmat e 20 deputetëve, VMRO-DPMNE-ja pretendon se ka të drejtë me Rregullore të kërkojë dhe të realizohet vazhdimi i seancës plenare për ndryshimet kushtetuese. Sipas partisë opozitare, kreu i Kuvendit është i obliguar ta vazhdojë seancën dhe të vërtetohet se nuk ka 80 vota për realizimin e këtyre ndryshimeve.

“Kjo seanca me këtë pikë kur të fillojë, duke të përfundojë më së voni për dhjetë ditë. Ne kishim deputetë që ishin paraqitur për fjalë në këtë seancë dhe përfunduan fjalimet po atë ditë më 18 gusht që sipas kreut 10 të Rregullores do të thotë se po të njëjtën ditë ju keni pasur kushte dhe nuk keni pasur asnjë pengesë që të kaloni në votim dhe kjo farsë të përfundonte,” tha Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.

Edhe nga E Majta thonë se kreu i Kuvendit s’mund të vendosë sipas vullnetit të tij për afatin e seancave.

“Vendimi për votim sillet dhe është e logjikshme që kur të përfundojë debate sillet vendimi. Tani ju këto gjeni arsye dhe thirreni në dispozitat e përgjithshme që në këtë rast nuk vlejnë. Në këtë rast afati është i caktuar me Rregullore dhe nuk varet nga vullneti juaj ose vullneti ynë. Ai afat është caktuar dhe duhet ta respektoni,” deklaroi Dimitar Apasiev, E Majta.

Deputetët kanë të drejtë të kërkojnë por kjo nuk do të thotë që seanca duhet patjetër të vazhdojë, thotë kreu i Kuvendit, Xhaferi. Sipas tij, këtë të drejtë e ka ekskluzivisht ai.

“Seanca e ndërprerë është në kompetenca ekskluzive të kryetarit të Kuvendit se kur do të vazhdohet me atë seancë, ashtu si shumë seanca të tjera që presion të vazhdohen për shkak të disa çështjeve që i keni të njohura edhe ju edhe opinioni, e që është për shkak të punës së papërshtatshme të komisioneve. Kështu që seanca 123 do të vazhdojë atëherë kur të ketë kushte që të vazhdojë,” tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Seanca për ndryshimet kushtetuese filloi më 18 gusht dhe u ndërpre pasi u shter debati. Që atëherë, pushteti është në kërkim të deputetëve të opozitës së cilët mund të mbështesin ndryshimet kushtetuese deri sa të arrihet numri i nevojshëm prej të paktën 80 deputetëve. /alsat.mk