Rivotimi në Tearcë të Tetovës dhe mundësia për ndryshim të rezultatit përfundimtar nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, janë tema e emisionit të sontshëm ‘Arena’. Kryetari i OJQ “Civil”, Xhabir Deralla, tha se parregullsi zgjedhore nuk janë vërejtur vetëm në Tearcë por në gjithë territorin e Maqedonisë, të cilët janë si rezultat i korrupsionit të lartë politik në vend.

“Megjithatë shohim një sinjal shumë interesant në gjithë Maqedoninë, përmes të cilit një pjesë e trupit vetues megjithatë janë të vendosur, merr guximin të dalë në votime në numër më të madh në krahasim prej viteve të kaluara dhe të kontribojë. Don të thotë se po lind një vetëdije qytetare përmes të cilës shohin njerëzit se një votë vlenë dhe se mund të investojnë e të votojnë ashtu si mendojnë dhe të kontribojnë në ndryshime të caktuara. Atmosfera viteve të kaluara ishte krejtësisht ndryshe, kur njerëzit gjatë votimit nuk kanë besuar se mund të kontribojnë në ndryshimin e situatës”, tha Deralla.

 Nga ana tjetër, analisti politik, Sefer Tahiri, vlerëson se rivotimi në Tearcë është moment i rëndësishëm politik dhe ata qytetarë kanë mundësinë ta ndryshojnë rezultatin përfundimtar të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, dhe vota e tyre është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë.

“Në njërën anë kjo është mirë sepse u jepet këtyre qytetarëve një mundësi që ndoshta e rrallë politike që të vendosin edhe për ardhmërinë e vendit për shkak se mund të ndodhë që mandatet e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së të bëhen të barabarta, në anën tjetër është edhe një presion publik që u bëhet këtyre qytetarëve. Unë mendoj se ajo që është e rëndësishme dhe që duhet ta them që në fillim, që partitë politike shqiptare sidomos BDI-ja në pushtet por edhe partitë tjera, duhet t’i lënë qytetarët vet të vendosin. Pra qytetari shqiptar dhe qytetarët tjerë, në këtë vendvotim të vendosin me kokën e tyre, pa u bërë presione dhe pa u bërë thirrje për bojkot”, deklaroi Tahiri.

Që rezultati të ndryshojë dhe rezultati të barazohet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Tahri vlerëson në vendvotimin në Tearcë duhet të merr mbi 400 vota ndërsa VMRO-DPMNE-ja të mos merr më shumë se 90 vota të cilat i morri nga zgjedhjet e 11 dhjetorit në këtë vendvotim në Tearcë.