Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka vlerësuar se për tetë vjet shtet Kosova ka pasur shumë zhvillime pozitive të cilat kanë dëshmuar qëndrueshmërinë e Kosovës, si shtet i pavarur.

Ai ka thënë se në mesin e këtyre të arriturave është marrja e ‘tapisë’ ndërkombëtare, ndërtimi i institucioneve, rrumbullakimi i kornizës ligjore, transformimi i sistemit ekonomik dhe sigurimi i njohjeve kualitative.

Megjithatë, Sejdiu ka theksuar se edhe më tutje nuk ka zhvillim të fuqishëm të ekonomisë, reformim të gjyqësorit, si dhe funksionim të shtetit të së drejtës.

Sa i përket krizës politike në vend, Sejdiu ka thënë se duhet të tejkalohet nëpërmjet dialogut, por nëse nuk ka rezultat, atëherë, sipas tij, edhe zgjedhjen mund të jenë zgjidhje.

“Përplasjet e mëdha mes pozitës dhe opozitës po e zbehin imazhin e vendit. Nëse nuk gjendet rrugëzgjidhje nëpërmjet dialogut, edhe zgjedhjet mund të jenë zgjidhje”, ka thënë ai.