Vitin e kaluar në Tetovë janë konstatuar gjithsej 2.129 shkelje, të cilat janë sanksionuar në mënyrë ligjore, për shkak të parkimit të veturave në mënyrë të paligjshme

Automjete të paregjistruara në rrugët e Tetovës dhe vetura të parkuara vend e pa vend, janë dy llojet e shkeljeve më të shpeshta që hasen nga ana e policisë. Këto shkelje pothuajse përsëriten çdo ditë në komunikacion në këtë rajon, prandaj edhe organet e rendit janë më shumë prezent me kontrolle ndaj këtyre shkelësve të rregullave të komunikacionit.

Në këtë drejtim, ndryshimet e fundit në Ligjin për siguri në trafikun rrugor zbatohen edhe në rajonin e Tetovës dhe më gjerë. Në Tetovë dhe rrethinë, ndër vite policia raporton çdo ditë se në qarkullim hasen vetura dhe automjete të tjera të cilët janë të paregjistruara, ose u ka skaduar afati i regjistrimit. Në të kaluarën, këto shkelje të rregullave dhe ligjeve për komunikacion kanë përfunduar me gjoba në para, por nuk janë ndërmarrë masa tjera. Me ndryshimet e fundit parashihet edhe konfiskimi i automjetit nëse i njëjti është i paregjistruar. Nga policia e Tetovës njoftuan se zbatimi praktik i këtij ligji filloi në fund të muajit të kaluar. “Kështu që deri më 15 janar (dje) përkohësisht janë sekuestruar gjithsej 12 automjete, të cilat do të mbahen deri më 90 ditë, të njëjtat kanë qenë me regjistrimi të skaduar për më shumë se gjashtë muaj. Gjoba për këtë shkelje të trafikut është 500 euro në kundërvlerë me denarë”, deklaroi për gazetën Koha, Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Krahas kësaj, policia e Tetovës, respektivisht Stacioni Policor për Siguri në Trafikun Rrugor -Tetovë, vazhdoi me aktivitetet e rregullta për rend dhe siguri më të madhe me parkimin në Tetovë. “Kështu që brenda një dite janë zbuluar gjithsej 15 automjete të parkuara në mënyrë të paligjshme, pra shoferë, të cilat pengojnë lëvizjen normale dhe të sigurt të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, dhe për shkak automjetet janë marrë me karrotrec. Për vozitësit e veturave të cilët kanë kryer shkeljet, janë përgatitur parashtresa përkatëse dhe të njëjtit do të përballen me gjobat të cilat, varësisht nga shkelja, variojnë prej 45 deri në 180 euro në kundërvlerë me denarë, si dhe një tarifë të veçantë për marrjen dhe transportimin e veturës nga shërbimi me karrotrec”, deklaroi zëdhënësi Rexhepi.

Sa i përket parkimit vend e pa vend, brenda vitit në Tetovë hasen mbi dymijë shkelje, njoftojnë nga policia e Tetovës. “Vitin e kaluar në Tetovë janë konstatuar gjithsej 2.129 shkelje, të cilat janë sanksionuar në mënyrë ligjore, për shkak të parkimit të veturave në mënyrë të paligjshme dhe të njëjtat janë ngritur dhe larguar nga vendi, kryesisht të parkuara në zonat e kryqëzimeve, në të ashtuquajturat rreshta të dyfishtë dhe në vende të tjera të paligjshme”, informon Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Policisë së Tetovës. Nga policia apelojnë që drejtuesit e makinave të kenë më shumë kujdes se ku i parkojnë veturat, sidomos në këtë periudhë, kur në trafik janë edhe makineritë e rënda për mirëmbajtjen e rrugëve. (koha.mk)