Lideri i LR-PDSH-së, Zijadin Sela, në emisionin “Rruga e re” në TV Shenja, deklaroi se përplasjet që ndodhin brenda partnerit të tyre në Aleancën për shqiptarët, RDK, vetëm do ta forcojnë më shumë këtë subjekt politik.
“Nuk duhet dhe nuk na shqetëson aspak. Këto janë zhvillime të brendshme të RDK-së dhe nga këto ky subjekt do të dalë më i fortë. Nuk do të ketë pasoja në Aleancën për shqiptarët. Nuk e di se si do të zhvillohen gjërat më tej. Në do të përshëndesim cdo vendim që sjell organi më i lartë partiak”, tha Sela.
I pyetur nëse zhvillimet e fundit në RDK kanë për qëllim shkëputjen e partisë nga LR-PDSH-ja dhe bashkëpunimin me Lëvizjen BESA, Sela tha se nuk beson që një gjë e tillë të jetë e vërtetë.
“Nuk e besoj se këtu duhet të ketë një teori komploti. Unë nuk kam përshtypje që mund të ketë ndonjë tendencë të këtillë. Unë mund të flas për qëndrimet e LR-PDSH-së, ndërsa për zhvillimet tjera duhet të flasin organet e RDK-së. Nuk kemi bërë aleancë me dhunë por në bazë të principeve”, deklaroi Sela.

Duke folur për bashkimin e opozitës shqiptare, Sela tha se me Lëvizjen BESA kanë pasur disa herë takime, por jo në nivel liderësh.

“Jemi takuar disa herë por nuk kemi arrit të bëjmë marrëveshje për bashkëpunim. Komunikime direkte me Lëvizjen BESA nuk kemi pasur përveç takimeve nëpër debate me kryetarin e kësaj Lëvizjeje, Bilall Kasamin”, tha Sela. GJitashtu Sela tha  se Aleanca për shqiptarët është në kontakt edhe me UNITETIN .

Ai akuzoi BDI-në dhe PDSH-në se ata duan të mbijetojnë në politikë duke iu nënshtruar Gruevskit.

“Legjitimiteti i BDI-së është i mbaruar. Ata legjitimitetin duan ta fitojnë në tavolinë me Nikolla Gruevskin, duke vjedhur votat”, tha Sela.

Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi e dëshmuan se janë në shërbim të Nikolla Gruevskit, siç është rasti me Marrëveshjen e Përzhinos por edhe me votimin për shpërbërjen e Parlamentit. Kështu deklaroi lideri i LR-PDSH-së, Zijadin Sela në emisionin “Rruga e re” në TV Shenja.

“Tani lojërat politike janë haptazi dhe mund të shihen”, deklaroi Sela.

I pyetur nëse deri më 5 qershor do të arrihet të pastrohen listat zgjedhore që të mudn të mbahen zgjedhje të drejta dhe demokratike, Sela tha se nuk do mund të krijohen kushte ideale, por të ketë konsensus që të mbahen zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Ai shtoi se partitë opozitare shqiptare sepse nuk kanë garancë se zgjedhjet nuk do të manipulohen.

“Partitë opozitare janë në një pozitë shumë të vështirë, sepse e vetmja garancë është që zgjedhjet të mos vidhen është LSDM-ja . Ai duke ruajtur votat e tij, do ti ruaj edhe tonat”, tha Sela.

Arsyeja e vetme e takimit me liderin e LSDM-së Zoran Zaev, Sela tha se ka qenë vetëm për shkak të procesit të zgjedhjeve dhe vetëm për këtë është biseduar me LSDM-në.  /SHENJA/