Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani ka folur pa dorëza lidhur me qëndrimin e BDI-së ndaj mediumeve. Duke reaguar ndaj frazave të njohura të përfaqësuesve të BDI-së, se mediumet shqiptare janë në gjendje më të mirë se ato maqedonase, Selmani i ka thënë Besimit se jo vetëm që kjo nuk është e saktë, por se BDI po bën politikë më diskriminuese se VMRO-DPMNE-ja ndaj mediumeve. Ai poashtu ka pyetur Besimin nëse e din që vetëm kryetari i BDI-së padit gazetarët për shpifje, duke aluduar në paditë e Ahmetit kundër gazetës “Lajm”.
“Besimi pohon se media shqipe në Maqedoni është më e lirë se ajo në gjuhën maqedone. Unë them se nuk është ashtu. A e dini sa është rejtingu i Programit të dytë në gjuhën shqipe? Është më pak se 1 për qind! Mendoni se shqiptarët nuk do të donin ta shikonin një program që shtë profesional dhe i pavarur? E dyta, a e dini ju se vetëm kryetari i BDI-së aktualisht padit gazetarë për shpifje? A e dini ju se janë pushuar gazetarë nga puna në MRT në Gjuhën Shqipe vetëm për shkak të hakmarrjes politike. Është pushuar nga puna z. Qenan Hasani nga Manastiri vetëm për shkak se redaktorit të televizionit nuk i ka pëlqyer raporti që ka dërguar. Këto janë disa shembuj që tregojnë se media shqipe është në gjendje të njëjtë me mediumet në gjuhën maqedonase”, tha Selmani gjatë debatit në emisionin “Click Plus”, në TV 21.

Përgjigja e Besimit se “nuk është e njëjtë situata, por që ka një dallim që nuk mund të injorohet!”, ka revoltuar edhe më tepër Selmanin. “Dallimi i vetëm është se ju tani padisni gazetarët, kurse VMRO nuk i paditë!”, ka theksuar Selmani.

Edhe analisti Ismet Ramadani ka vlerësuar se BDI nuk mund të lavdërohet me qëndrimin që ka ndaj mediumeve shqiptare.
“A keni pasur informacion se qeveria i jep 5 milionë euro Llatasit dhe Sitelit? Dhe a keni pasur informacion se pastaj Llatasi i Sitelit, në emision i thotë Naserit ‘unë jamë shumë i mirë, unë gazetës Koha i kam dhënë 150 mijë euro’. Ai thotë unë jamë shumë i mirë. Ai është i mirë, sepse qeveria ku jeni ju i jep atij 5 milionë, mandej ai i jep 150 mijë euro donacion, a ku e di unë, Kohës. Është fakt se keni 153 mijë vota, mirëpo ju në vend që atë forcë politike ta shfrytëzoni për vete, atë ia jepni Gruevskit”, ka theksuar Ramadani.

Luan Tresi i PDSH-së ka akuzuar BDI-në se fshehurazi po negocion me VMRO-DPMNE-në për mediumet.

“Ju e dini se ne në të kaluarën kemi ditur edhe ta lëshojmë edhe qeverinë, edhe ta bojkotojmë Parlamentin. Nga këta nuk kemi pa asnjë veprim të tillë. Përkundrazi, gjatë diskutimit që e kemi pasur për Ligjin për media ku ne e përkrahëm propozimin e ndërmejtësuesit Van Hojt, këta u tërhoqën dhe mundohen që fshehurazi bashkë me VMRO-në, ta dërgojnë ligjin në Parlament, kurse publikisht flasin dhe gënjejnë se ekziston debat dhe se ka marrëveshje”, tha Tresi, derisa Besimi përgjigjej me replika abstrakte “se e din shoqëria dhe opinioni” që BDI ka qasje më pozitive ndaj mediumeve.

“Qëndrimi i qartë i BDI-së është se kërkesat e gazetarëve, të mediumeve dhe avancimi i gjuhës shqipe në mediume është qëndrim i jonë”, ka insistuar Besimi, duke i ikur përgjigjes së drejtpërdrejtë lidhur me paditë e BDI-së dhe Ahmetit ndaj mediumeve dhe gazetarëve.

Këtë pjesë të debatit mund ta ndiqni në videon më poshtë, pasi kalon një orë nga debati.

https://youtu.be/hJXyjUNVfU4