Organizatat Joqeveritare në Tetovë reagojnë ashpër ndaj deklaratës së ministrit të ekologjisë Nurhan Izairi i cili ditë më parë fajësoi kolegët e tij ministra për mos mbylljen e ndotësit të ajrit Jugohromin. Nga OJQ “Nëna dhe Fëmija” kërkuan nga Izairi të publikojë emrat e ministrave të cilët pengojnë mbylljen e Jugohromit.

“Vet fakti që Ministri i ekologjisë kërkon që ta ndaj përgjegjësinë me dikën tjetër flet që ekziston një problem serioz dhe ata janë të vetëdijshëm për këtë, mirëpo të akuzosh një qeveri në të cilën ti vet merr pjesë është pak e çuditshme. Për të besuar në sinqeritetin e ministrit ai duhet të del me këtë deklaratë por pak më konkretisht ti tregojë me emër e mbiemër se cilët janë ata ministra që pengojnë zgjidhjen e këtij problemi që të dimë edhe ne dhe të bëjmë shtypje në ato vende ku ka nevojë”, tha Elmedina Abdullai nga Organizata “Nëna dhe Fëmija”.

Përfaqësues të Organizatës “Eco Guerilla”, akuzuan ministrat shqiptarë se nuk janë të fuqishëm në ekzekutiv për të zgjidhur problemet e banorëve të Pollogut.

“Është dëshmi e pastër se ministrat janë plotësisht të vetëdijshëm për pafuqinë e tyre, madje janë të pafuqishëm edhe të tërhiqen në shenjë proteste për helmimin e brezave të ardhshëm”, deklaroi Gëzim Qaili, “EcoGuerilla”.

Ditë më parë ministri i ekologjisë Nurhan Izairi, akuzoi kolegët e tij ministra se pengojnë mbylljen e Jugohromit.

“….ka koleg të mijë që vetëdijen e mbrojtjes së ambientit e kanë të harruar e kanë të operuar nga truri nuk mendojnë për atë punë dhe i kam ftuar të mendojnë për këtë…”, deklaroi Nurhan Izairi, Ministër i ekologjisë.

Pas dy muaj pauze, Jugohormi më 1 mars përsëri ndezi furrat dhe filloi me punë. Vendimin për ri-nisjen e punës e kundërshtoi ministri i ekologjisë Izairi dhe gjitha Organizatat Joqeveritare për ruajtjen e ambientit./Alsat-M