Shkup, 48 orë paraburgim ish-anëtarit të UÇK-së

Gjykata Themelore në Shkup i ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh Gafurr Dugollit, drejtorit të Zyrës së Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të konfirmuar identitetin e tij.

Ai u arrestua të premten nga policia maqedonase në bazë të një urdhërarresti të INTERPOL-it, me kërkesë të Policisë së Serbisë, si i kërkuar për krime lufte gjatë kohës kur ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

Prokuroria Publike në Shkup të hënën do të vendosë nëse do të kërkojë që të lejohet ekstradimi i tij në Serbi. Por, vendimin përfundimtar për ekstradim e sjell Ministria e Drejtësisë, në krye të së cilës aktualisht ndodhet Adnan Jashari, nga partia shqiptare BDI.

Megjithatë, ministri Jashari, gjatë ditës së shtunë nuk ka treguar nëse do të lejojë ekstradimin e ish-anëtarit të UÇK-së, Gafurr Dugolli, në Serbi.

Arrestimin e Dugollit dhe apelin e qeverisë së Kosovës për lirimin e menjëhershëm të tij nuk e ka komentuar asnjë zyrtar në Shkup. Për këtë rast kanë heshtur edhe pushtetarët shqiptarë, por edhe Ambasada e Kosovës në Maqedoni.