Shkupi sot do të jetë në fokusin e vëmendjes evropiane dhe botërore. Kryeqyteti i Maqedonisë do të ketë privilegjin të mirëpret dy nga ekipet më të mëdha dhe më të pasura në botën e futbollit, Real Madrid dhe Manchester United, të cilët do të përballen për trofeun e “UEFA Super Cup”.

Dy ekipet kanë arritur dje në aerodromin “Leka i Madh” në Shkup, ku nën masa të forta sigurie udhëtuan për në hotelet ku do të qëndrojnë deri para ndeshjes. Stafi i Real Madridit do të qëndrojë në “Aleksandar Palace”, ndërsa ai i Manchester Unitedit në “TCC Grand Placa”,

Të dy ekipet mbrëmë kanë pasur mundësi të njihen me terrenin e stadiumit “Telekom Arena”, ku patën stërvitje, ndërsa paraprakisht edhe takime me gazetarët.

Bashkia e Shkupit gjatë ditës së djeshme njoftoi se është e gatshme që ta organizojë në mënyrë sa më të mirë ndeshjen e Super Kupës së Evropës.

Ndërsa FFM-ja bëri apel që të respektohen të gjitha rekomandimet që ka dhënë në lidhje me ndeshjen, të cilën pritet ta ndjekin mbi 500 milion njerëz. padyshim që edhe në Maqedoni kjo ndeshje do të shikohet me interes nga ata që nuk kanë arritur të gjejnë bileta për në stadium, e për këtë do të kujdeset TVM2.