protesta-1

Shoqata Atdhetare “Liria Kombëtare” në Zvicër  përkrahë protestën e paralajmëruar nga partitë opozitare shqiptare të premten në Shkup.

“Shpresojmë se kjo protestë do të shndërrohet në protestë gjithë popullore, me qëllim që t`i bëhet me dije qeverisë sllavo-maqedone se terrori shtetëror nuk është rrugë e qeverive demokratike, por metodë dhe formë e veprimit politik të diktaturës millosheviqiane. Po ashtu i bëhet me dije edhe faktorit ndërkombëtar që sa më shpejt, të veprojë dhe të pengojë qeverinë e Shkupit në zbatimin e projekteve antishqiptare në IRJM.  Në IRJM, shqiptarët kanë me mijëra e mijëra arsye për protestuar. Diskriminimi i përditshëm i shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës, injorimi i kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar,  dhuna dhe terrori shtetëror i shoqëruar me procese të montuara politike, si Breza e Malina, Sopoti, Brodeci, Velesi, Manastiri, Radusha, Monstra, Kumanova etj. janë projekte të orientuara drejtpërsëdrejti mbi popullin shqiptar”, thekson kjo shoqatë, duke shtuar se nëse edhe tri herë në ditë protestohet kundër këtij aparati shtetëror është pak sepse shkalla e diskriminimit politik mbi shqiptarët është aq e lartë, sa që kjo qeveri me veprimet e veta është barazuar me qeveritë më diktatoriale të kohës.

“Liria Kombëtare” thekson se  gjithë shqiptarët, përkrahim me gjithë shpirt protestën gjithë popullore në Shkup, me datën 22 prill 2016 (E premte), protestë e cila organizohet nga partitë opozitare shqiptare LR-PDSh, RDK, Uniteti, si dhe nga OVL dhe  SHBPPM, duke shpresuar që kësaj proteste t`i bashkëngjiten të gjitha subjektet opozitare shqiptare dhe shoqatat tjera.